E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia masa të shtuara për protestën, Nushi: Identifikim i personave që ushtrojnë dhunë

TIRANË, 24 tetor /ATSH/ Policia e Shtetit ka shtuar masat parandaluese dhe reaguese për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë tubimit të paralajmëruar për sot, pas thirrjeve në rrjetet sociale për grumbullimin e personave të maskuar dhe të pajisur me mjete të rrezikshme.

Shefi i Sektorit të Drejtimit në Departamentin për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, Albert Nushi deklaroi se policia ka konstatuar thirrje për sulme ndaj punonjësve të saj, djegie të automjeteve të Policisë dhe dëmtim të pronës publike e private.

“Nisur nga thirrjet e vazhdueshme në rrjetet sociale dhe në grupet e hapura në platformat online për grumbullimin e personave të maskuar dhe të pajisur me lëndë piroteknike, bomba Molotov, sfera dhe vida metalike, shkopinj druri e metalikë, gurë dhe sende të tjera të forta, me qëllim ushtrimin e dhunës gjatë tubimit të paralajmëruar për ditën e sotme, Policia e Shtetit ka shtuar masat parandaluese dhe reaguese për garantimin e rendit dhe sigurisë publike”, u shpreh Nushi.

Nushi bëri të ditur se për thirrjet e konstatuara ka nisur procedimi penal, ndërsa strukturat e specializuara po kryejnë hetime për identifikimin e personave përgjegjës.

“Personat që synojnë ta shfrytëzojnë tubimin për të ushtruar dhunë, pavarësisht maskimit apo përpjekjeve për të fshehur identitetin, do të identifikohen dhe do të përballen me përgjegjësinë ligjore”, tha ai.

Policia u bëri thirrje pjesëmarrësve të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, si dhe të mos përfshihen në veprime të paligjshme.

Një apel iu drejtua edhe prindërve që të mos lejojnë fëmijët të marrin pjesë në tubime apo të qëndrojnë në ambiente ku siguria e tyre mund të rrezikohet nga përplasjet e paralajmëruara.

“Gazetarët dhe operatorët mediatikë që raportojnë nga terreni, të respektojnë perimetrat e sigurisë të përcaktuar nga Policia dhe udhëzimet e punonjësve të Policisë, për të shmangur rrezikimin e jetës dhe shëndetit të tyre”, theksoi Nushi.

Nushi nënvizoi se e drejta kushtetuese për tubim paqësor do të respektohet, ndërsa ndërhyrjet policore do të kryhen në përputhje me ligjin dhe parimin e proporcionalitetit.

“E drejta kushtetuese për t’u tubuar paqësisht do të respektohet dhe mbrohet, por nuk mund të përdoret si justifikim për dhunë, sulme ndaj punonjësve të Policisë apo shkatërrim të pronës”, deklaroi Nushi.

/e.i/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›