E Diel, 1 Nëntor 2026

Gogu: Hapet në Fushë-Krujë Zyra e Ndihmës Juridike Falas, shërbimi për mbi 51 mijë banorë

TIRANË, 30 tetor/ATSH/ Në Fushë-Krujë është hapur Zyra e Ndihmës Juridike Falas, duke zgjeruar aksesin në këto shërbime për mbi 51 mijë banorët e bashkisë së Krujës.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i cili theksoi se synimi është që shërbimi juridik të jetë i arritshëm për çdo qytetar, pavarësisht vendbanimit apo mundësive ekonomike.

“Një derë e re për ta sjellë drejtësinë më pranë njerëzve. Në Fushë-Krujë hapëm Zyrën e Ndihmës Juridike Falas, duke zgjeruar aksesin në këto shërbime për mbi 51 mijë banorët e Bashkisë Krujë”, u shpreh Gogu.

Ministri nënvizoi se prioritet është që drejtësia të mos mbetet vetëm një e drejtë e parashikuar në ligj, por të jetë e aksesueshme në praktikë për të gjithë qytetarët.

Ai bëri të ditur se kjo është e para nga pesë zyrat e reja të Ndihmës Juridike Falas që Ministria e Drejtësisë ka planifikuar të hapë gjatë këtij viti.

Gogu falënderoi Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Agjencinë Austriake për Zhvillim (ADA) për mbështetjen në këtë nismë.

“Drejtësi më pranë njerëzve, më e arritshme për të gjithë”, theksoi ministri.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›