Gogu: Parlamenti vend për debat, jo për dhunë verbale

TIRANË, 9 tetor /ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu reagoi sot pas seancës së Kuvendit në të cilën pas debateve të opozitës, u kalua në votim pa diskutime për rendin e ditës.
Gogu u ndal tek vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në Gjykatën e Apelit, për të cilën do të fliste në foltore nëse seanca plenare do të vijonte normalisht, gjë që nuk ndodhi sipas tij, për shkak të dhunës verbale ndaj ministrave.
Ministri e cilësoi ngjarjen humbje për drejtësinë shqiptare dhe shtetin.
“Ne kemi detyrë të mos ushqejmë flakët e urrejtjes, por të ruajmë rendin, gjakftohtësinë dhe besimin në drejtësi. Bashkë me organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, si bashkëpërgjegjës, kemi nisur një auditim të plotë të sigurisë në gjykata dhe do të paraqitet një paketë e re ligjore”, u shpreh ministri.
Gogu gjithashtu kritikoi sulmet e opozitës ndaj magjistratëve dhe përpjekjet për të politizuar drejtësinë.
“Është e trishtë të dëgjosh zotërinë e 21 janarit, që mban mbi ndërgjegje krime shtetërore të vërteta, të guxojë të flasë për drejtësi, ndërkohë që çdo ditë sulmon gratë dhe burrat e drejtësisë shqiptare; kujtoni, i ka quajtur ‘kriminelë’, ‘lavire’ e ‘ushtarë krimi’. Të mos ngatërrojmë kritikën me urrejtjen. Kritika është e shëndetshme për drejtësinë”, theksoi Gogu.
Gogu gjithashtu u shpreh se, Shqipëria ka nevojë për drejtësi, jo për hakmarrje.
“Çdo papërsosmëri në sistemin e drejtësisë, sidomos ato që identifikohen nga vetë aktorët brenda sistemit, është nxitje për përmirësim, jo sulm. Vrasja e çartur e gjyqtarit nuk do të na kthejë në epokën e frikës, por do të na shtyjë të forcojmë besimin në drejtësi”, shtoi më tej Gogu në reagim.
“Le ta kthejmë këtë tragjedi në pikë kthese, jo në arsye ndarjeje. Sepse shteti nuk mbrohet me britma, por me ligj; drejtësia nuk mbrohet me urrejtje, por me bashkëpunim. Ne, të gjithë bashkë, kemi për detyrë ta mbrojmë drejtësinë, ta forcojmë ligjin dhe ta çojmë Shqipërinë përpara, kurrë më pas”, u shpreh Gogu.
/gj.m/j.p/