Vrasja e gjykatësit Kalaja, Koçiu-opozitës: Po politizoni situatën, jeni nxitës të gjuhës së urrejtjes

TIRANË, 9 tetor/ATSH-Maela Marini/ Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu iu përgjigj sot akuzave të opozitës në Kuvend, lidhur me përgjegjësinë e Policisë së Shtetit në rastin e vrasjes së gjykatësit të Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja.
Koçiu reagoi pas deklaratave të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha në Kuvend i cili e akuzoi se mashtroi publikisht kur tha se, policia nuk ka përgjegjësi për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja.
“Besoj se është shumë e qartë për të gjithë se kush është nxitësi i gjuhës së urrejtjes. Kush ka qenë nxitësi dhe bullizuesi më i madh i gjuhës që përdoret këtu në të gjithë këtë politikë parlamentare. Është shumë e qartë”, u shpreh Koçiu.
Koçiu u shpreh se gjuha e përdorur ndaj saj duke e etiketuar sikur ka gënjyer dhe mashtruar është totalisht në shkelje të të gjithë përgjegjësisë që ka Policia e Shtetit dhe gjithë përgjegjësisë që kryejnë institucionet publike.
“Ju e dini fare mirë se nëse do të kishte përgjegjësi një polic i shtetit sot do të ishte në arrest. Policia e Shtetit ka kryer veprimet e veta në përputhje të plotë ligjore dhe kësaj i qëndroj nga mëngjesi deri në darkë”, tha Koçiu.
Ministrja nënvizoi se Reforma në Drejtësi parashikon qartë ndarjen e përgjegjësisë për secilin institucion.
“Mjafton të shikoni të gjithë bazën ligjore që ky Kuvend ka miratuar që në vitin 2016, produkt i Reformës në Drejtësi, asaj reforme që është shumë e suksesshme pasi ka prodhuar sot rezultate konkrete. Pavarësisht se jam e bindur se nuk i pëlqen deputetëve të opozitës, se është duke treguar përgjegjësi në çdo vendimmarrje që është duke kryer. Por produkt i kësaj reforme janë edhe ndarjet e qarta të përgjegjësisë ndaj secilit institucion”, shtoi ajo.
Koçiu replikoi ndaj akuzave të deputetit të PD-së Flamur Noka, ndërsa kërkoi që të mos politizohet situata.
“Përgjegjëse për vrasjen nuk jam unë, por jeni ju me këtë gjyq që po bëni. Nuk më intimidon duke më treguar me gisht. Unë jam një grua në detyrë dhe duke përdorur këtë gjuhë, ja ku e keni dëshminë e qartë se kjo gjuhë e juaja ka krijuar të gjithë këtë ngarkesë politike. Mos e politizoni situatën. Je duke bërë politikë dhe duke treguar me gisht institucionet që e kryejnë me përgjegjësi detyrën e tyre. Turp të kesh ti sepse me kaq vite sa ke në këtë Kuvend do të duhet ta kishe ndryshuar narrativën politike dhe sot nuk do të kishe prodhuar të tilla situata. Ktheji nga vetja të gjitha këto që thua, pasi e ke treguar se sa mirë dhe me ndershmëri e ke bërë detyrën tënde kur ke qenë ministër i Brendshëm”, iu drejtua Koçiu deputetit Noka.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi vendosi t’i heqë të drejtën e fjalës gjatë kësaj seance plenare deputetit Noka, i cili më parë kishte marrë edhe një masë disiplinore me vërejtje për përdorimin e fjalëve fyese. /j.p/