E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gol në limit, Laçi ngre lart Kupën e Shqipërisë

TIRANË- Laçi shkruan historinë në futboll. Pasi ka luajtur para tre vitesh për herë të parë në Kupat e Europës, kurbinasit për herë të parë kanë fituar edhe Kupën e Shqipërisë, teksa kanë mposhtur në finale ekipin e Bylisit me rezultatin 1-0, një gol i ardhur në limitin e kohës shtesë, pasi koha e rregullt përfundoi në barazim 0-0. Një gëzim i ligjshëm për të gjithë tifozët e Laçit, të cilët ishin më të shumtë në numër mbrëmë në stadiumin “Qemal Stafa”, që e kanë përkrahur ekipin e tyre deri në përfundim të ndeshjes. Më pas ka filluar festa, ku kurbinasit kanë ngritur trofeun e Kupës së Shqipërisë, ndërsa në kampin ballshiot ka pasur vetëm hidhërim, madje janë derdhur edhe lot.
NDESHJA
Laçi dhe Bylisi kishin rreth një muaj që përgatiteshin për këtë ndeshje. Minutat e para kanë qenë të qeta, për të ardhur në minutën e 19-të, që është një moment kyç. Arifaj i Bylisit ndëshkohet me karton të kuq dhe në fushë prishen ekuilibrat. Ka kontestime nga pala ballshiote, sidomos nga trajneri Shensoj i Bylisit. Megjithatë, ndeshja rifillon, madje është Bylisi, që edhe me 10 futbollistë dikton lojën. Por ka shumë gabime nga të dyja kampet dhe në pjesën e parë ka vetëm një gjuajtje në drejtim të portës nga Sefa i Bylisit.
SHTESA
Edhe 45 minutat e pjesës së dytë kanë përfunduar në barazim pa gola dhe është dashur koha shtesë. Ritmi i ndeshjes ka qenë i kënaqshëm edhe në shtesë, por ka munguar spektakli dhe golat. Ka shumë ndërhyrje të parregullta dhe rastet në portat respektive kanë qenë me “pikatore”. Por pikërisht kur u mendua se fati i kësaj kupe do të përcaktohej nga gjuajtja e penalltive, ka qenë mbrojtësi Emiljano Çela i Laçit ai që ka devijuar krosimin e Vucajt dhe ka shënuar për kurbinasit. Ka qenë minuta e 119-të dhe nuk ka kohë më për Bylisin, teksa mezi arrijnë të shkojnë njëherë në sekondat e fundit në portën e Laçit, por pa rrezik. Gjyqtari Bardhyl Pashaj vërshëllen dhe kështu trofeu i këtij edicioni është i Laçit, që lë gjurmë në Kupën e Shqipërisë. Ndërsa ballshiotët kanë pasur vërejtje për gjykimin, pasi kartoni i kuq i nxjerrë për Arifajn në pjesën e parë, sipas tyre, ishte i padrejtë. Këtë e ka përmendur edhe pas ndeshjes trajneri Naxhi Shensoj, i cili nuk arriti të ngrinte lart kupën. E ka ngritur këtë trofe Stavri Nica me të tijtë, duke lartësuar kështu emrin e Laçit.
HISTORIKE
Laç ka fituar për herë të parë Kupën e Shqipërisë, duke gdhendur me të arta emrin në palmaresin e këtij trofeu, i dyti për nga rëndësia në futbollin shqiptar. Duke fituar Kupën, Laçi do të marrë pjesë në Europë, e dyta herë për të
SHPËRBLIMI
Siç dihet, në rast se një skuadër fiton Kupën e Shqipërisë, shpërblehet në vlerë financiare nga Federata Shqiptare e Futbollit. Për këtë sezon është caktuar një premio prej 50 milionë lekësh të vjetra, që tashmë do t’i marrë Laçi. Por nuk mbaron këtu. Në arkën e klubit kurbinas do të hyjnë edhe 100 mijë euro (rreth 140 milionë lekë), shumë kjo që e ka të përcaktuar UEFA për pjesëmarrjen në Ligën e Europës së fitues i Kupës. Pra, në total i bie 190 milionë lekë të vjetra, jo pak për një klub si Laçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›