Gonxhja: Butrinti me investime të reja, rritet siguria dhe menaxhimi

Ministri i Kulturës, Turizmit dhe Sporteve, Blendi Gonxhja, ka bërë të ditur zhvillimet më të fundit në Parkun Kombëtar të Butrintit, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Sipas tij, në parkun tashmë të administruar nga Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, kanë nisur ndërhyrjet për vendosjen e parmakëve mbrojtës në zonën e teatrit antik dhe përgjatë disa shtigjeve, ndërsa është vendosur edhe monitorim 24/7 me sistem kamerash për rritjen e sigurisë dhe mirëmenaxhimit.
Gonxhja theksoi se këto masa synojnë përmirësimin e kushteve të punës për stafin dhe garantimin e ruajtjes së këtij siti të trashëgimisë botërore nën UNESCO, i cili vizitohet nga mbi 300 mijë turistë çdo vit.
Gjatë vizitës, ministri ishte i shoqëruar nga kryetari i bashkisë Sarandë, Olti Çaçi, si dhe drejtoresha ekzekutive e fondacionit, Jorida Muho. Ata diskutuan mbi një sërë projektesh zhvillimore, përfshirë ndërtimin e një parkimi publik në hyrje të zonës së mbrojtur dhe krijimin e një qendre të re për vizitorët.
Në fokus të bisedimeve ishte edhe projekti për një muze arkeologjik të ri që do të sponsorizohet nga fondacioni, i cili do të vendoset pranë shëtitores kryesore të qytetit të Sarandës.
Gjithashtu, u diskutua koordinimi i ndërhyrjeve të tjera infrastrukturore, përfshirë ndriçimin e segmentit rrugor hyrës, përmirësimin e transportit tokësor dhe ujor, si dhe zhvillimin e aktiviteteve me komunitetin lokal.
“Në Parkun Kombëtar të Butrintit, tashmë i administruar nga Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, ku ka nisur puna për parmakët mbrojtës tek teatri e në disa shtigje, dhe ku monitorimi 24/7 me sistem kamerash ndihmon ekipin e mirëmotivuar e të pajisur me kushte më të mira pune të përkujdeset për mbarëvajtjen e këtij siti trashëgimi botërore nën UNESCO, tashmë i vizituar nga mbi 300 mijë vizitorë në vit.
Së bashku me kryetarin e bashkisë Sarandë Olti Çaçi dhe Drejtoren Ekzekutive të BMF Jorida Muho, folëm për projektin e parkimit publik në hyrjen e zonës së mbrojtur dhe qendrën e re të vizitorëve, muzeun arkeologjik që BMF do të sponsorizojë për turistët e Sarandës pranë shëtitores kryesore të qytetit, koordinimin e disa ndërhyrjeve, ndriçimin e ri të segmentit rrugor hyrës, transportin tokësor e ujor dhe aktivitetet me komunitetin lokal“, shkruan Gonxhja.
/rtsh.al/