Gonxhja: Firmoset memorandumi historik me Këshillin Kombëtar Shqiptar në Serbi

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, firmosi sot Memorandumin historik të Bashkëpunimit me Këshillin Kombëtar Shqiptar në Serbi, përfaqësuesin legjitim të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Marrëveshja u nënshkrua me mbështetjen e veçantë të Kryeministrit Edi Rama, në kuadër të Konferencës së Ambasadorëve ‘Diplo2025’, dhe synon zhvillimin e qëndrueshëm kulturor, ekonomik dhe rinor në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Në një reagim në rrjetet sociale, ministri Gonxhja theksoi se “Ky memorandum forcon diplomacinë kulturore dhe ekonomike shqiptare, duke hapur rrugë për qasje të përbashkët në politikat, programet dhe iniciativat rajonale.
Sipas tij, përmes këtij bashkëpunimi synohet nxitja e nismave të përbashkëta, promovimi i trashëgimisë kulturore dhe zhvillimi i inovacionit, si ura të qëndrueshme bashkëpunimi mes institucioneve dhe komunitetit shqiptar në Luginë.
“Ky Memorandum forcon diplomacinë kulturore dhe ekonomike shqiptare, duke hapur rrugë për qasje të përbashkët në politikat, programet dhe iniciativat rajonale. Përmes tij synohet nxitja e nismave të përbashkëta, promovimi i trashëgimisë kulturore dhe zhvillimi i inovacionit, si ura të qëndrueshme bashkëpunimi mes institucioneve dhe komunitetit shqiptar në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë.”-shkruan Gonxhja
Ai shton më tej se️, “Marrëveshja u nënshkrua në kuadër të Diplo2025 – Konferencës së Ambasadorëve, duke i dhënë një dimension të ri diplomacisë shqiptare në shërbim të kulturës, ekonomisë dhe solidaritetit ndërshqiptar..
/rtsh.al/