Gonxhja: I hapet rrugë hedhjes së shortit për shpërndarjen e shtëpive të reja në Kombinat

TIRANË, 9 maj/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot ndryshime në vendimin e mëparshëm të shpronësimeve në funksion të procesit të rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019, duke hapur rrugën për realizimin e projektit të detajuar vendor.
Ky vendim sjell saktësim të të dhënave për shpronësimet në këtë zonë, duke mundësuar vazhdimin e procesit të rindërtimit për familjet e prekura nga tërmeti i vitit 2019.
Ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Blendi Gonxhja bëri të ditur se ky akt rregullon një numër shpronësimesh që prisnin saktësim, duke i hapur rrugë hedhjes së shortit për shpërndarjen e shtëpive të reja. Kjo masë përshpejton përmbylljen e procesit të rindërtimit dhe ofron shtëpi të reja për qindra familje të tjera në Kombinat.
Ky zhvillim, sipas tij, është një hap tjetër i rëndësishëm drejt kthimit në normalitet për banorët e Kombinatit, duke kontribuar në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe forcimin e qëndrueshmërisë së komunitetit pas pasojave të tërmetit.
“Shkohet kështu drejt përmbylljes së procesit të rindërtimit për banorët e Kombinatit, duke bërë me shtëpi të reja qindra familje të tjera. Një hap tjetër i rëndësishëm drejt kthimit në normalitet”, tha ministri.
/r.e/a.f/