BRUKSEL – Merz: Turqia një partnere jashtëzakonisht e vlefshme e NATO-s

BRUKSEL, 9 maj /ATSH-DPA/ – Kancelari i ri gjerman, Friedrich Merz mbështetet në bashkëpunim të ngushtë me Turqinë në çështjet e mbrojtjes.
”Unë dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, jemi të bashkuar nga vendosmëria e fortë për ta mbajtur Turqinë të lidhur fort me ne si një anëtare e rëndësishme e NATO-s”, theksoi Merz gjatë vizitës së tij të parë në selinë e NATO-s në Bruksel, disa ditë pasi u betua si kancelar.
”Turqia mbron një zonë brenda territorit të NATO-s, rëndësia strategjike e së cilës nuk mund të nënvlerësohet”, tha Merz në një konferencë të përbashkët për shtyp me Rutten.
“Kjo është arsyeja pse Turqia është një partnere jashtëzakonisht e vlefshme dhe e rëndësishme e NATO-s për ne dhe unë do të bëj gjithçka që është në fuqinë time për të ruajtur dhe zgjeruar më tej këtë partneritet me Turqinë brenda NATO-s”, theksoi ai.
Merz tha gjithashtu se synon të pranojë së shpejti një ftesë nga presidenti turk Recep Tajip Erdogan.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur qeveria gjermane po shqyrton nëse do të miratojë furnizimin me avionë luftarakë për Turqinë.
Turqia planifikon të blejë 40 avionë luftarakë ”Eurofighter”.
Meqenëse Gjermania është e përfshirë në projektin e përbashkët evropian, avionët luftarakë nuk mund të eksportohen pa miratimin e qeverisë gjermane./ /os/