E Diel, 1 Nëntor 2026

Gonxhja: Pretendimet për kushtet e akomodimit të EUSACombat nuk pasqyrojnë situatën reale


TIRANË, 13 shtator /ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, reagoi lidhur me disa postime në rrjetet sociale mbi kushtet e akomodimit të pjesëmarrësve në kampionatin europian universitar EUSACombat – Tirana 2026, duke deklaruar se pamjet e publikuara nuk pasqyrojnë situatën reale.

Gonxhja bëri të ditur se kampionati, që zhvillohet në Tiranë nga 7 deri më 17 shtator, ka mbledhur mbi 1,600 sportistë dhe shoqërues universitarë nga rreth 400 universitete të 38 vendeve europiane, në disiplinat taekwondo, karate, xhudo dhe kickboxing.

Sipas ministrit, aktiviteti organizohet nga Federata Shqiptare e Sportit Universitar, ndërsa Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka ofruar mbështetje financiare për organizimin.

Gonxhja sqaroi se Bashkia Tiranë kishte marrë përsipër akomodimin e rreth 1,500 pjesëmarrësve dhe se, pak ditë para nisjes së aktivitetit, një pjesë e kapaciteteve të parashikuara fillimisht nuk mund të viheshin në dispozicion, pasi dhomat ishin të zëna nga studentë shqiptarë me kontrata njëvjeçare.

Për këtë arsye, një pjesë e delegacioneve u sistemuan në Kampusin Universitar të Institutit Bujqësor në Kamzë. Sipas Gonxhes, pjesëmarrësit janë akomoduar në kushte optimale, ndërsa përfaqësues të EUSA-s kanë inspektuar nga afër ambientet.

Ministri theksoi se pamjet e publikuara online nuk u përkasin hapësirave ku janë sistemuar delegacionet e huaja, por, sipas verifikimeve të kryera, mund t’u përkasin godinave të tjera të vjetra, të pabanuara dhe në pritje të rikonstruksionit.

“Çdo problem konkret duhet të trajtohet me përgjegjësi, por nuk mund të pranohet që raste të izoluara, fotografi të paverifikuara apo ambiente që nuk përdoren nga delegacionet të shërbejnë për të cenuar një aktivitet madhor ndërkombëtar dhe imazhin e Shqipërisë si vend mikpritës”, u shpreh Gonxhja.

Ai nënvizoi gjithashtu se, në aktivitete të përmasave të tilla, akomodimi i mijëra sportistëve të rinj zakonisht realizohet në kampuse universitare, rezidenca studentore, hostele rinore dhe struktura të tjera akomodimi, duke garantuar kushtet e nevojshme të sigurisë, higjienës dhe funksionalitetit.

/e.xh/j.p/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›