E Enjte, 5 Nëntor 2026

Gonxhja: Programe trajnimi në shkollat profesionale për sipërmarrjen dhe inovacionin


TIRANË, 16 tetor/ATSH/ Mbi 2000 studentë dhe 200 mësues u bënë pjesë e programit INNOVET për të zhvilluar aftësitë e tyre në teknologji si dhe sipërmarrje.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se në fokus të këtij programi ishte promovimi i sipërmarrjes dhe mendimit inovativ si aftësi kyçe për nxënësit e shkollave profesionale.

Po ashtu synohet krijimi i bashkëpunimeve të reja mes shkollave profesionale, universiteteve dhe organizatave të shoqërisë civile, si dhe përmirësimi i metodave të mësimdhënies për edukatorët në sistemin e shkollave profesionale.

“Me mbi 2000 studentë të përfshirë, 200 mësues të trajnuar dhe ekipe start-up të mbështetura, INNOVET ka qenë një sukses i jashtëzakonshëm”, tha ai.

Gonxhja informoi se shumë shpejt nis INNOVET 2.0, ku në fokus do të jenë sipërmarrja dhe inovacioni si fusha kyçe mësimore në shkollat publike profesionale.

Me mbështetjen e Bashkimit Evropian, përmes EU4Innovation dhe qeverisë Gjermane nëpërmjet GIZ Albania/ProSEED 2.0, INNOVET po udhëheq një epokë të re të bashkëpunimit.

Në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Agjencinë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi, INNOVET promovon sipërmarrjen dhe mendimin inovativ në shkollat profesionale në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Korçë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›