E Diel, 1 Nëntor 2026

Gonxhja: Shteti do të ndërhyjë për shpëtimin e banesave “Monument kulture”, nis nga Gjirokastra

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja, ka deklaruar sot se shteti do të ndërhyjë me masa konkrete për shpëtimin, restaurimin dhe mbrojtjen e banesave që kanë statusin “Monument kulture” dhe që rrezikojnë të degradojnë apo të humbasin për shkak të neglizhencës, fragmentimit të pronësisë, braktisjes nga pamundësia për t’u përballuar apo mosveprimit të qëllimshëm.

Në një video të bërë publike në rrjetet sociale, Gonxhja deklaroi se “Shteti do të marrë përsipër të gjitha punimet, duke ndihmuar ndjeshëm qytetarët, por edhe duke ngarkuar pronarin me pjesën e arsyeshme të kostos së detyrimit përkatës”.

Sipas tij, ndërhyrja do të nisë nga Gjirokastra, qytet i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Më tej ai tha se , nga rreth 390 banesa monument kulture, rreth 90 prej tyre janë aktualisht në rrezik. “Nuk ka më: ra, se u la në mëshirë të fatit!”, tha ministri, duke nënvizuar se puna teknike dhe administrative ka nisur, ndërsa kantieret e para do të hapen në fillim të vitit të ardhshëm. Projektet do të hartohen sipas manualeve zyrtare të restaurimit dhe me miratim nga KKTKM.

“DRTK-të rajonale dhe IKTK qendrore do të ndjekin e mbikëqyrin procesin, praktikat dhe komunikimin me çdo të interesuar”, shtoi Gonxhja, duke sqaruar se nisma e shumëpritur vjen me mbështetje vjetore buxhetore dhe zbatohet nga MTKS.

Ministri e cilësoi këtë ndërhyrje si një hap strategjik për ruajtjen e identitetit, trashëgimisë dhe vlerave universale e kolektive që mbartin banesat monument kulture, të cilat përveçse pasuri arkitektonike dhe etnografike, janë edhe dëshmi të gjalla të traditës dhe potencial i madh turistik e ekonomik për vendin.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›