E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedi në Bulqizë, gjendet trupi i pajetë i vajzës së marrë nga rrjedha e Drinit të Zi

Një ngjarje tragjike ka tronditur Gjoricën e Poshtme në Bashkinë Bulqizë, ku një vajzë e mitur është marrë nga rrjedha e lumit Drini i Zi.

Ngjarja është raportuar pasditen e së enjtes, ndërsa menjëherë pas njoftimit kanë nisur kërkimet për gjetjen e të miturës. Në operacion u angazhuan familjarë, banorë të zonës, punonjës të Bashkisë Bulqizë dhe shërbimet e Policisë. Pas orëve të kërkimeve, paraditen e kësaj të premteje (28 gusht) u bë e mundur gjetja e trupit të pajetë të 7-vjeçares. Sipas informacioneve paraprake, rritja e prurjeve në lumin Drini i Zi dyshohet se ka sjellë shtim të rrjedhës. Ndërkohë, po verifikohet edhe dyshimi se hapja e portave të hidrocentralit të Spilës, pas rritjes së prurjeve nga ana e Maqedonisë së Veriut, mund të ketë ndikuar në shtimin e nivelit të ujit në lumë.

“Në vijim të kërkimeve të nisura mbrëmjen e djeshme, pas njoftimit se disa fëmijë dhe një i afërm i tyre kishin mbetur të bllokuar, për shkak të rritjes së nivelit të ujit në lumin Drini i Zi, ku 4 prej tyre u shpëtuan nga shërbimet e Policisë dhe të Emergjencës, ndërsa një e mitur nuk u gjet, informojmë se:

Sot, rreth orës 09:45, është bërë e mundur gjetja e trupit të pajetë të 7-vjeçares, e cila dyshohet se është mbytur në lumë.

Grupi hetimor vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftim.

Rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende për t’u sqaruar. Autoritetet vijojnë verifikimet për të përcaktuar dinamikën e ngjarjes dhe shkaqet që çuan në këtë tragjedi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›