Gonxhja: Turizmi, sektori me potencialin më të lartë për punësim

TIRANË, 4 shtator/ATSH/ Në eventin “Shqipëria Turistike 2030”, ministri Blendi Gonxhja tha se, turizmi është shndërruar në një sektor me potencial të lartë për punësim dhe se në webin zyrtar puna.gov.al janë shpallur më shumë se 8 mijë vende pune.
“Turizmi mbetet aktiviteti ekonomik me numrin më të madh të vendeve të shpallura gjatë vitit 2025”, u shpreh kreu i MEKI-t.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit tha se, së bashku me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive u promovua nisma “Eja Puno në Turizëm”, një platformë për dialog të strukturuar mbi punësimin, aftësitë, kërkesat e tregut dhe bashkëpunimin mes gjithë aktorëve lokalë.
Gonxhja përmendi gjithashtu se 10 shkolla kanë nisur zbatimin e arsimit profesional dual, duke lidhur mësimin teorik me praktikën pranë biznesit, për të siguruar përgatitjen e nxënësve për tregun e punës. Për drejtimin Hoteleri-Turizëm, ky sistem u aplikua në 6 shkolla, ku 80 % e nxënësve arrijnë të punësohen në sektor menjëherë pas formimit.
“Çdo investim që bëjmë sot nuk është thjesht një projekt, por një hap drejt Shqipërisë që duam të jetojmë nesër, një destinacion i preferuar ndërkombëtarisht, jo vetëm për bukuritë natyrore, por edhe për përvojën e saj të plotë, turistike, kulturore, gastronomike dhe inovative”, u shpreh ministri Gonxhja.
/a.f/