E Diel, 1 Nëntor 2026

Gonxhja nga sheshi “Skënderbej”: Tirana, kryeqendër ndërkombëtare e padelit

TIRANË, 25 maj /ATSH/ Sheshi “Skënderbej” është shndërruar në një arenë të madhe sportive ndërkombëtare, ku nga data 26 deri më 31 maj do të zhvillohet turneu prestigjioz FIP Platinum Albania, një nga aktivitetet më të rëndësishme të kalendarit botëror të padelit.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, gjatë një inspektimi në terren, deklaroi se Tirana po pozicionohet gjithnjë e më shumë si një nga qendrat e rëndësishme të këtij sporti modern, duke u krahasuar me qytete si Milano, Majemi, Nju-Jorku dhe Doha për organizimin e eventeve të këtij niveli.

Sipas ministrit, turneu ndërkombëtar do të mbledhë mbi 200 sportistë elitarë nga vende të ndryshme të botës dhe rajonit, përfshirë Kosovën, Greqinë dhe vende të tjera, duke sjellë në kryeqytet një atmosferë sportive të nivelit të lartë.

“Sheshi ‘Skënderbej’ është transformuar në një kampus sportiv në zemër të Tiranës, i hapur për publikun dhe pa pagesë, ku qytetarët, turistët dhe dashamirësit e sportit do të kenë mundësi të ndjekin nga afër ndeshjet dhe atmosferën unike të padelit ndërkombëtar,” u shpreh Gonxhja.

Ai theksoi se ky investim i rëndësishëm, i mbështetur nga qeveria shqiptare, jo vetëm që ka krijuar infrastrukturë moderne sportive, por edhe do të lërë një trashëgimi të prekshme për zhvillimin e padelit në Shqipëri.

Sipas tij, eventi pritet të sjellë ndikim pozitiv ekonomik dhe turistik, duke rritur numrin e vizitorëve dhe duke promovuar Shqipërinë si destinacion për evente ndërkombëtare sportive dhe kulturore.

FIP Platinum Albania do të transmetohet drejtpërdrejt dhe do të jetë i hapur për publikun gjatë gjithë ditëve të aktivitetit, duke e kthyer kryeqytetin në një qendër të rëndësishme të sportit ndërkombëtar.

Ky aktivitet vjen në vijim të kalendarit të ngjeshur të eventeve sportive në vend, duke forcuar profilin e Shqipërisë si një destinacion në rritje për turizmin sportiv dhe eventet ndërkombëtare.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›