E Diel, 1 Nëntor 2026

VATIKAN – Papa Leone XIV kërkon falje historike për rolin Kishës Katolike gjatë skllavërisë

VATIKAN, 25 maj /ATSH-DPA/ – Papa Leone XIV ka kërkuar falje për rolin e Kishës Katolike gjatë epokës së skllavërisë.

Në enciklikën e tij të parë, të botuar të hënën, kreu i 1,4 miliardë katolikëve të botës pranoi se Kisha e tij nuk e dënoi me vendosmëri tregtinë e skllevërve – e cila zgjati për shumë shekuj – deri në shekullin XIX.

”Skllavëria”, shkruan papa Leone XIV, ”përbën një plagë në kujtesën e krishterë”.

”Për këtë, në emër të Kishës, kërkoj sinqerisht falje”, thekson ai.

Enciklika përqendrohet kryesisht në rreziqet që paraqet inteligjenca artificiale për paqen, demokracinë dhe dinjitetin njerëzor.

Papa Leone XIV trajton se çfarë do të thotë IA për punën në botën moderne.

Teksti i tij i referohet ”formave të reja të skllavërisë” – për shembull, në qendrat e të dhënave të IA-së ose në prodhimin e mikroçipave dhe pajisjeve teknike si kompjuterët ose telefonat inteligjentë që përdorin IA-në.

”Në disa pjesë të botës”, thekson ai, ”fëmijët dhe të rinjtë punojnë gjithashtu në kushte të rrezikshme, duke vuajtur nga gjymtimi dhe shfrytëzimi për të mbajtur të dhënat në qarkullim”.

“Ky realitet e sfidon thellësisht ndërgjegjen morale të kohës sonë”, shkruan ai./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›