E Diel, 1 Nëntor 2026

Gonxhja publikon pamjet nga kantieri i Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë: Projekti drejt përfundimit

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka ndarë pamje nga kantieri i ndërtimit të godinës së re të Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, një prej investimeve më të rëndësishme në fushën e artit, edukimit dhe krijimtarisë për fëmijët dhe të rinjtë në Shqipëri. Sipas ministrit, projekti po i afrohet përfundimit dhe konsiderohet një nga ndërhyrjet më komplekse të realizuara në infrastrukturën kulturore të vendit.

Godina e re, e vendosur në zonën e Gardës në Tiranë, po merr formë dita-ditës dhe synon të shndërrohet në një qendër moderne e multifunksionale, e pajisur me teknologjitë më të avancuara për artet skenike dhe aktivitetet krijuese. Objekti do të ofrojë mbi 7 mijë metra katrorë hapësira funksionale, duke përfshirë një skenë të dyfishtë të lëvizshme, amfiteatër të hapur, studio krijuese, ambiente për trajnime artistike dhe punishte profesionale për zhvillimin e talenteve të reja.

Sipas Gonxhes, kjo qendër do të krijojë kushte bashkëkohore për edukimin artistik dhe kulturor të fëmijëve, duke u kthyer në një hapësirë të dedikuar për talentin, imagjinatën dhe zhvillimin e brezave të rinj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›