Gonzato: Sistemi i pavarur i Drejtësisë, thelbësor për rrugën drejt BE-së

TIRANË, 10 shtator/ATSH/ Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato zhvilloi sot një takim me kryetaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani.
Në fokus të diskutimeve, ishte puna në të ardhmen në sferën e drejtësisë dhe momentet kyçe që priten, përfshirë përzgjedhjen dhe emërimin e kreut të ri të SPAK.
Në një njoftim për mediet, Gonzato u shpreh se “një sistem drejtësie i besueshëm dhe i pavarur mbetet thelbësor për të forcuar besimin e qytetarëve dhe për të avancuar rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian”.
“Delegacioni i BE-së do të ndjekë nga afër këtë proces, duke vazhduar njëkohësisht të mbështesë të gjithë sistemin gjyqësor në forcimin e pavarësisë, llogaridhënies dhe efikasitetit në të gjitha nivelet”, tha Gonzato.
Sipas ambasadorit të BE-së, “KLP ka një rol thelbësor në garantimin e procedurave transparente dhe të bazuara në meritë për ngritjet në detyrë, vlerësimet dhe standardet profesionale brenda sistemit të prokurorisë”.
“Ne do të vazhdojmë të asistojmë KLP-në me ekspertizën tonë më të mirë për të ndihmuar Shqipërinë të përmbushë standardet e BE-së”, përfundoi Gonzato.

/e.i/j.p/