Grabitësit zhvarrosin kufomën, i marrin unazën dhe varësen e florinjtë
Persona të paidentifikuar kanë zhvarrosur trupin e pajetë të një personi, 24 orë pas varrimit.
Kështu ka ndodhur me trupin e të ndjerit Thanas Kaça nga fshati Shkallë i komunës së Xarës në Sarandë.
Petro Kaça, vëllai i të ndjerit, thotë se kanë mbetur dy herë të tronditur nga ajo që ka ndodhur.
E kemi përjetuar si vdekje të dytë të vëllait tonë. Kur vajtëm të nesërmen e varrimit për të bërë homazhet tek varri i freskët sipas zakonit, e kemi gjetur trupin të nxjerrë mbi tokë. Na shkoi mendja për grabitje dhe pamë që i kishin marrë zinxhirin e floririt dhe unazën, shprehet i shokuar për GSH vëllai i viktimës.
Familjarëve të tronditur u është dashur të njoftojnë policinë e Sarandës për atë që ka ndodhur në varrezat publike të zonës.
Ato gjenden buzë liqenit të fshatit Mursi, ku varrosen edhe të vdekurit nga fshati Shkallë, i krijuar nga ngulimet e barinjve vlleh që shtegtonin bagëtitë dekada më parë.
Në vendngjarje kanë shkuar ekspertët, që kanë marrë provat e vlefshme për procesin hetimor dhe kanë nisur hetimet.
Mendohet se autorë të kësaj ngjarjeje të kenë qenë një grup, që kanë parë ose janë informuar se në banesën e fundit të ndjerit i janë vendosur edhe varësja e floririt e unaza./A.XH