E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitet kasaforta me 150 mijë USD

Minimarketi i grabitur

Grabitet natën kasaforta e biznesmenit në minimarketin me materiale ndërtimi e hidrosanitare në Vorë të Tiranës.Katër persona dyshohet të kenë kryer grabitjen e dyqanit, duke tërhequr me kavo çeliku kasafortën brenda së cilës ndodheshin flori, dollarë dhe lekë shqiptar. Vlera totale e valutës së vjedhur dhe bizhuterive mësohet se është mbi 150 mijë dollarë. Ngjarja ndodhi gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm, në dyqanin e biznesmenit Bexhet Tragaj, i cili e ushtron aktivitetin e tij në Vorë, prej më shumë se 20 vitesh. Dyqani i tij ndodhet në katin e parë të një pallati të vjetër, në të cilin banon familja Tragaj. Grabitja është zbuluar mëngjesin e djeshëm, kur pronari ka zbritur për të hapur marketin dhe ka parë dyert e hapura. Burime nga policia thanë se nisur nga gjurmët e fiksuara në vendin e ngjarjes, dyshohet se autorë të grabitjes janë katër persona. Hetuesit, po kështu kanë thënë se nga mënyra si është realizuar supergrabitja, personat që kanë arritur të hapin derën e hekurt dhe të tërheqin nga aty kasafortën, kanë qenë profesionistë. Dyqani ndodhet në anë të rrugës që është vazhdimisht e ndriçuar, ngjitur me dy ambiente të tjera, një pikë këmbimi valutor dhe një lokal. Zona ka lëvizje në çdo orar të mundshëm, e megjithatë askush nuk i ka parë grabitësit teksa realizonin misionin e tyre.
MEKANIZMI I VJEDHJES
Efektivat e postës së policisë së Vorës dhe Komisariatit Nr.6 janë sinjalizuar për ngjarjen mëngjesin e djeshëm nga biznesmeni Bexhet Tragaj dhe kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Ekspertët kanë fiksuar disa gjurmë që u përkasin autorëve, që dyshohet të jenë të paktën katër persona, si dhe kanë rindërtuar ngjarjen, duke zbuluar mekanizmin e grabitjes. Policia sqaroi se dyqani nuk ishte i pajisur me kamera sigurie. Grabitja ka ndodhur në një distancë të largët nga filialet e bankave që ndodhen në Vorë, në mënyrë që të sekuestroheshin kasetat për zbulimin e autorëve. Nga të dhënat hetimore, rezulton se autorët kanë arritur të hapin bravën e derës së hekurit që mbyll dyqanin, duke përdorur një trapan. Pasi kanë arritur të futen brenda duke përdorur një kavo çeliku, që mund të ketë qenë e lidhur pas ndonjë makine, kanë tërhequr nga aty kasafortën e biznesmenit Tragaj, ky dyshohej se kishte flori e para, me një vlerë totale prej 150 mijë dollarësh. Transportimi i kasafortës dhe largimi i autorëve nga vendi i ngjarjes, është realizuar me anë të një makine, që sipas ekspertëve të policisë, mund të ketë qenë një furgon mallrash, pasi vetëm një mjet i tillë mund të mbante një kasafortë aq të rëndë, sa ajo që është grabitur. Policia ka marrë në pyetje pronarin e dyqanit, familjarët e tij dhe persona të tjerë që banojnë në pallatin ku ndodhej minimarketi i grabitur, por nuk kanë arritur të zbulojnë të dhëna të nevojshme për zbardhjen e ngjarjes. Tragaj ushtronte këtë aktivitet prej më shumë se 20 vitesh në Vorë dhe në dyqanin e tij kishte shumëllojshmëri mallrash, duke nisur nga ato ushqimore, hidrosanitare, elektroshtëpiake, bizhuteri floriri, por edhe materiale ndërtimi.

TE DYSHUAR

Menjëherë pas ngjarjes, forcat e policisë kanë shoqëruar për të marrë në pyetje pothuajse të gjithë personat me precedentë penalë në vjedhje dhe kanë bërë krahasimin me gjurmët e gishtave të fiksuara në vendin e ngjarjes. Por, sipas Policisë, asnjë prej të shoqëruarve nuk ka rezultuar autor, e megjithatë të gjithë do të mbahen në vëzhgim, pasi mund të jenë informatorë për personat që kanë realizuar grabitjen.

150 mije
dollarë dyshohet të jetë vlera e floririt dhe parave që ndodheshin në kasafortën e biznesmenit Bexhet Tragaj, që u grabit në orët e para të mëngjesit, nga dyqani i tij në Vorë

4 persona
dyshohen të jenë autorë të grabitjes së kasafortës me 150 mijë dollarë, të cilët, sipas Policisë, kanë vepruar me ndihmën e një automjeti që mund të jetë furgon, për të tërhequr kasafortën

Djali i biznesmenit: Dëmi, 150 mijë dollarë

Familja Tragaj jeton në një apartament mbi dyqanin ku ka ndodhur grabitja gjatë natës, megjithatë ata nuk kanë dëgjuar asnjë zhurmë në kohën që ndodhi vjedhja. Ata dyshojnë se personat që kanë realizuar vjedhjen, kanë qenë të mirinformuar për sasinë e konsiderueshme të floririt dhe parave që ndodhej në kasafortë, madje nga mënyra se si kanë realizuar vjedhjen, mund të jenë të sofistikuar në këtë drejtim. Bezjon Tragaj, djali i biznesmenit të dëmtuar, tregon se dera është thyer me trapan dhe në kasafortë ndodheshin sende me vlerë dhe para, që e kalojnë shumën 150 mijë dollarë. Dëmi është mjaft i madh. Me aq sa kemi llogaritur ne, e kalon vlerën 150 mijë dollarë, tregon Bejzon Tragaj, në një prononcim për gazetën Panorama. Sipas tij, përveç dëmit material të shkaktuar, ngjarja ndodhi në një moment kur babai i tij sapo kishte kryer një ndërhyrje në zemër dhe kjo që ndodhi i ka shkaktuar tronditje të rëndë dhe aktualisht mbahet në vëzhgim të rreptë mjekësor. Ata persona që kanë arritur të vjedhin kasafortën, që në fakt është një objekt mjaft i rëndë, por edhe që kanë arritur të thyejnë derën e hekurit, duhet të jenë përveçse të informuar, edhe të specializuar për të kryer grabitje të tilla. Një vjedhje e tillë ishte pothuajse e pamundur, shprehet Bejzon Tragaj.

ETLEVA DELIA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›