E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr për një femër në lokal nate, plagosen adoleshentët në Tiranë

TIRANE Dy të rinj u shoqëruan në polici, pas një konflikti fizik mes tyre, ndërsa policia ka nisur hetimet në gjendje të lirë ndaj tyre, me akuzën dëmtime të tjera me dashje. Burime të policisë thanë se dy personat kanë plagosur njëri-tjetrin me shkopin bejsbolli, pas një sherri që kanë pasur për një femër. Ngjarja ka ndodhur pranë fushës së Misto Mames, në Kombinat të Tiranës. Burime nga Policia thanë se dy të rinjtë, protagonistë të sherrit, njëri në vit të tretë në gjimnaz dhe tjetri student në vitin e parë, e kanë nisur konfliktin gjatë natës duke gdhirë dita e djeshme, teksa ndodheshin të dy në të njëjtin pub. Sipas burimeve nga policia e Komisariatit Nr.6, konflikti mes tyre në lokalin e natës ka nisur për një femër, që dyshohet se e pëlqenin të dy, por në atë moment kanë qenë persona të tjerë që nuk i kanë lënë të godasin njëri-tjetrin. Por, me sa duket, ata nuk e kanë harruar incidentin në pub, pavarësisht se të dy ishin nën efektin e alkoolit dhe janë takuar sërish për të sqaruar atë që kishte ndodhur, në afërsi të fushës së Misto Mames. Protagonistët, 18-vjeçari me mbiemrin Frroku dhe 19-vjeçari me mbiemrin Neli, kanë zbritur nga makinat e tyre tip Benz dhe pas debatit kanë nisur të godasin njëri-tjetrin me shkopinj bejsbolli e më pas kanë thyer edhe xhamat e makinave përkatëse. Policia tha se pasi u ballafaquan në komisariat, dy të rinjtë nuk preferuan të kryejnë kallëzim kundër njëri-tjetrit dhe po hetohen në gjendje të lirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›