E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitet punonjësja e ambasadës amerikane, autorët janë të mitur

Bledi Gilaj

Tiranë

Ajo ra pre e hajdutëve gjatë një feste te Dëshmitarët e Jehovait

Kallëzimi

Kjersti Gregoru Harris denoncoi se gjatë një ceremonie festive të besimit kristian Dëshmitarët e Jehovait i është vjedhur çanta e saj

Hajdutët e mitur në Tiranë nuk kanë kursyer as një punonjëse të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilës i kanë marrë çantën me të gjitha sendet personale brenda. Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur dy ditë më parë gjatë një ceremonie festive fetare, ku merrte pjesë punonjësja 22-vjeçare e ambasadës. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se menjëherë pas kësaj ngjarjeje, e dëmtuara ka bërë kallëzim në Komisariatin Nr. 2, ndërkohë që uniformat blu kanë mundur të identifikojnë hajdutët, të cilët njihen për disa vjedhje të ndodhura kohët e fundit në kryeqytet. Sipas të dhënave nga policia e Tiranës mësohet se të dielën ka bërë kallëzim Kjersti Gregoru Harris, 22 vjeç, lindur në SHBA, me detyrë punonjës e ambasadës së këtij shteti në vendin tonë. Në kallëzim e saj, kjo shtetase ka treguar se në afërsi të stadiumit Selman Stërmasi, gjatë një ceremonie festive të besimit kristian Dëshmitarët e Jehovait i është vjedhur çanta e saj, ku i është marrë pasaporta dhe disa sende personale. Menjëherë pas denoncimit, policia ka kryer veprimet e para hetimore dhe ka rezultuar se autorë të kësaj ngjarjeje janë shtetasit e miturit të proceduar dhe me parë për vjedhje, E. S., 13 vjeç dhe motra e tij, R. S, 12 vjeçe, të dy endacakë në Tiranë. Madje, pas kësaj vjedhjeje, të dielën, ata mendohet se kanë kryer edhe dy vjedhje të tjera, ndërkohë që policia nuk ka rënë ende në gjurmët e tyre. Sipas të dhënave, shërbimet policore janë porositur për gjetjen e dy të miturve, ndërkohë që ata dyshohet se janë fshehur, pasi nga përllogaritjet rezulton që kanë vjedhur një sasi të konsiderueshme parash në të tre rastet e denoncuara të dielën. Policia shpjegon se ata janë shoqëruar disa herë, por për shkak të moshës së mitur dhe mungesës së vendeve për ti mbajtur të izoluar, ata janë lënë sërish të lirë, ku vazhdojnë të jenë kontingjent i rrezikshëm për krimin e së ardhmes. Ble. Gi.

Grabitet punonjësja e ambasadës amerikane, autorët janë të mitur burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip Nga diktatura në demokraci

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›