Prokuroria, fletëthirrje sekretarit të Këshillit të Qarkut të Fierit
Falsifikimet
Gjergji Janku do të japë sqarime për firmat e dyshimta në procesverbalin e të djathtëve
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier i ka dërguar zyrtarisht fletëthirrje sekretarit të Qarkut të Fierit, Gjergji Jankut, me qëllim marrjen e tij në pyetje në cilësinë e deklaruesit për falsifikimet që dyshohet se janë kryer gjatë mbledhjes së këshillit të organizuar më 24 prill nga z. Artur Shehu. Lajmi është bërë i ditur për gazetën nga burime të organit të akuzës, të cilat sqaruan se kjo është fletëthirrja e dytë që i është dërguar Jankut, pasi për të parën ka pretenduar se nuk e ka marrë. Por, sekretari i Qarkut të Fierit ende nuk ka denjuar të paraqitet në organin e akuzës, ku do të pyetet rreth mënyrës së si janë grumbulluar firmat e këshilltarëve që figurojnë në listë-prezencën e mbledhjes së 24 prillit 2012 të zhvilluar në hotel Fieri, ku ishte i pranishëm edhe prefekti Robert Bitri, një nga krerët e LSI-së në qark. Sipas burimeve, pas konstatimit të elementeve të veprës penale në kallëzimin e depozituar nga i zgjedhuri më 21 shtator 2011 si kryetar i Qarkut të Fierit, Vangjel Ndreka dhe nisjes së procedimit janë duke u verifikuar gjithë falsifikimet e dyshuara. Kështu, mësohet se Janku do të pyetet se si ka pasur mundësi që gjatë kryerjes së apelit nga ana e tij, të mos ketë vënë re mungesën e këshilltarit Eduard Dogani, i cili ndodhej në Greqi. Ndërkaq, ai do të pyetet edhe për rrethanat se si firma e Eduard Doganit ndodhet në listë-prezencë, edhe pse ai nuk ka qenë i pranishëm aty. Burimet pohojnë se Janku do të pyetet nëse e ka kryer apelin e prezencës në bazë të rregullores dhe nëse ka verifikuar praninë e këshilltarëve në mbledhje me anë të dokumenteve të tyre identifikuese. Pas marrjes së deklarimeve të Jankut, do të vendoset nëse do të nisë apo jo procedimi penal ndaj tij. Nga verifikimet paraprake të kryera nga hetuesit rezulton se në listën në të cilën Shehu pretendon se kanë firmosur 49 këshilltarët që morën pjesë në mbledhjen e organizuar prej tij, figurojnë firmat e tre këshilltarëve, të cilët sipas kallëzimit të Ndrekës nuk kanë qenë të pranishëm. Bëhet fjalë për firmën e këshilltarit të Komunës Strum, Eduard Dogani, i cili nga verifikimet e kryera prej prokurorisë në sistemin TIMS, rezulton se më 24 prill të jetë ndodhur jashtë Shqipërisë, në Greqi dhe jo në ambientet e hotel Fierit. Në vend të tij dyshohet se ka ngritur dorën gjatë kryerjes së apelit, punonjësi i policisë ndërtimore të Komunës Strum, Dashnor Agaçe, fakt që u denoncua edhe nga emisioni investigatv Fiks Fare. Gjithashtu, nga burimet e sipërcituara mësohet se prokuroria ka siguruar në cilësinë e provës materiale edhe deklarimet e këshilltarit të Komunës së Rremasit të Rrethit të Lushnjës, Veiz Dervishi, i cili ka pohuar se nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e organizuar nga z. Artur Shehu në hotel Fieri. Në listën që ka sekuestruar prokuroria figuron edhe firma e këshilltarit tjetër, Aulent Toli, i cili në pamjet e transmetuara në emisionin investigativ Fiks Fare vërehej të ishte i pranishëm në mbledhjen e zhvilluar nga kryetari i majtë i Qarkut të Fierit, Vangjel Ndreka.
Prokuroria, fletëthirrje sekretarit të Këshillit të Qarkut të Fierit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip Nga diktatura në demokraci