Grabitja e 10 milione lekeve ne kerkim dy grabitesit
Grabiten rreth 10 milion lekë të reja nga kasaforta e zyrës së financës në Njësinë Bashkiake nr.5 në Tiranë. Këto para, sipas policisë, ishin pjesë e fondit që do i shpërndaheshin përfituesve të ndihmës sociale dhe pensionistëve invalidor të kësaj njësie.
Grabitja, ka ndodhur mesnatën e së martës, kur tre grabitësit me pistoleta në duar dhe të pa maskuar, fillimisht kanë rrahur rojën e ndërtesës, të cilin e kanë detyruar t’i hapte portën kryesore. Më pas, grabitësit janë drejtuar pranë zyrës së financës, ku kanë hapur me çelës kasafortën ku ndodheshin rreth 10 milion lekë.
Për këtë grabitje, prokuroria tashmë ka nisur hetimet dhe kanë arrestuar një person, i cili është identifikuar nga roja. Ky i fundit ndodhet i shtruar në Spitalin Ushtarak për shkak të dëmtimeve që ka marr nga grabitësit.
Sipas prokurorisë, dyshohet se grabitësit janë ndihmuar nga një punonjës i njësisë bashkiake, i cili përveç se I ka treguar për parat që ndodhen në kasafortë, I ka vënë në dispozicion edhe një çelës.
Për këto dyshime, policia ka marr në pyetje disa punonjës të kësaj njësie, të cilët përveç se nuk pranuan të komentojnë vjedhjen, tentuan të ndalojnë edhe kamerën e “ABC News” për të filmuar.