E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabovaj për ATSH-në: Bazë kombëtare e të dhënave për strehimin social, shpërndarje më e drejtë e fondeve

TIRANË, 2 maj/ATSH/ Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka hartuar një projektvendim për krijimin e një baze kombëtare të integruar të të dhënave për strehimin social.

Ky projektvendim që aktualisht është në fazën e konsultimit publik me ministritë e linjës,  përbën një hap të rëndësishëm për përmirësimin e menaxhimit të strehimit, një panoramë të qartë të nevojave për strehim për çdo bashki të vendit, dhe për sigurimin e një shpërndarjeje më të drejtë të fondeve për qytetarët në nevojë.

Në një intervistë për ATSH-në, Dardana Grabovaj, drejtoreshë e Drejtorisë së Strehimit pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, shpjegoi se projekti synon krijimin e një sistemi të centralizuar dhe të integruar, i cili mundëson raportim në kohë reale për kërkesat për strehim, trajtimin e tyre, si dhe menaxhimin e fondeve.

Sipas saj, ky është një hap i rëndësishëm për modernizimin e politikave sociale.

“Për herë të parë, Shqipëria do të ketë një pasqyrë të plotë dhe të përditësuar të të dhënave për strehimin social, që do të ndihmojë në planifikimin dhe monitorimin e programeve, si dhe do të sigurojë shpërndarjen e drejtë të fondeve. Tashmë kjo do të bëhet e mundur me një klik të vetëm në këtë sistem i cili padyshim është një nga sistemet që do të ketë një peshë shumë të madhe për strehimin social në rang kombëtar”, u shpreh Grabovaj.

Sistemi i ri do të mundësojë që çdo bashki të raportojë në kohë reale për kërkesat e qytetarëve, numrin e familjeve të strehuara dhe ecurinë e programeve të strehimit.

Ai do të mbledhë një gamë të gjerë informacioni, përfshirë nevojat për strehim, inventarin e banesave sociale me qira, kushtet fizike dhe teknike të këtyre banesave, si dhe numrin e familjeve përfituese nga programet sociale.

Gjithashtu, sistemi do të mundësojë identifikimin e sipërfaqeve të nevojshme për ndërtimin e banesave sociale dhe të trojeve të pajisura me infrastrukturë përkatëse.

Po ashtu, Grabovaj vuri në dukje se do të krijohet një regjistër për banesat me kosto të ulët, godinat jashtë funksionit që mund të shtohen në fondin publik të banesave sociale dhe nivelin mesatar të qirasë, të miratuar nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.

“Do të monitorohet gjithashtu numri i banesave të përfituara përmes ligjit për strehimin social dhe do të identifikohen banesat në rrezik shembjeje, duke përcaktuar adresën e saktë për to”, theksoi Grabovaj.

Një element tjetër i rëndësishëm është menaxhimi më efikas i fondeve nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera financimi, me qëllim përdorimin sa më të drejtë të tyre në ndihmë të qytetarëve.

Sistemi i ri pritet gjithashtu të rrisë transparencën, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të ndjekin statusin e kërkesës së tyre për strehim dhe duke minimizuar mundësitë për abuzime.

“Do të ofrojmë një sistem të hapur dhe të aksesueshëm për të gjithë qytetarët, çka do të rrisë besimin dhe do të kontribuojë në një proces më të drejtë dhe transparent”, tha Grabovaj.

Një tjetër aspekt kyç është përmirësimi i koordinimit ndërmjet qeverisë dhe bashkive, si dhe lidhja e sistemit me databaza të tjera shtetërore, për të siguruar informacion të plotë dhe të integruar.

“Integrimi i të dhënave do të mundësojë një analizë më të saktë të situatës dhe hartimin e programeve më të përshtatshme të strehimit”, shtoi Grabovaj.

Ky projekt është pjesë e iniciativave të qeverisë për strehimin e familjeve në nevojë. Deri më tani, përmes fondeve shtetërore dhe kredive të Bankës Botërore, në gjashtë programe strehimi që nga miratimi i ligjit të vitit 2018, kanë përfituar në total 28 323 familje.

Në vijim, Grabovaj theksoi rëndësinë e krijimit të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit Urban dhe Strehimit, e cila do të fokusohet në zhvillimin e një qasjeje të re për strehimin social dhe në krijimin e mundësive për shtresat me të ardhura të ulëta dhe të mesme për të siguruar një banesë në tregun e lirë.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›