E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gradat, si ndryshojnë rrogat e policëve

 

Implementimi i gradave do të bëhet pas 30 ditësh dhe mund të shkaktojë një furtunë të vërtetë në dikasterin blu. Punonjësit pa vjetërsinë e duhur do të kenë lëvizje si në gradë ashtu edhe në pagë

TIRANË- Pas një muaji, punonjësit e Policisë së Shtetit do të kenë gradat e reja por kjo do të shoqërohet edhe me lëvizje, reforma dhe ndryshime të dukshme të pagave. Implementimi i gradave të reja në Policinë e Shtetit do të zbatohet më 11 qershor. Kjo datë është konfirmuar nga burimet zyrtare të policisë, të cilët shpjeguan se tashmë ekspertët e kanë përfunduar të gjithë procedurën. Sipas zyrtarëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë sëShtetit, nëse konstatohen punonjës policie të cilët për nga funksioni aktual pretendojnë gradën e lartë por nuk kanë vjetërsinë e duhur të punës, atëherë ata do të lëvizin duke u transferuar në një funksion më të ulet. Pas përfundimit të implementimit të gradave, do të caktohet dhe paga e punonjësve të policisë në bazë të gradës që mbajnë.

Gradat

Oficerët e policisë të cilët aktualisht mbajnë funksione jo në bazë të gradës që kanë atëherë do të zbresin në një funksion më poshtë. "Do të verifikohet vjetërsia e punës si dhe funksionet aktuale të oficerëve të policisë dhe në bazë të tyre do të shpërndahen dhe gradat. Nëse një oficer policie me funksionin që ka aktualisht mund të merrte gradën kryekomisar por nuk ka tetë vjet punë, atëherë automatikisht gradat ulet",- thanë burime nga policia e shtetit. Oficerët e policisë do të marrin grada në bazë të vjetërsisë së punës dhe funksionit që kanë aktualisht. Nëse oficeri i policisë ka mbi 12 vite punë atëherë merr gradën e drejtuesit të parë, nëse ka 10 vite punë merr gradën drejtues. "Oficerët e policisë të cilët kanë tetë vjet punë marrin gradë kryekomisar, për ata që kanë gjashtë vjet punë komisar dhe për ata që kanë pesë vjet punë nënkomisar, ndërsa për të tjerët kryeinspektorë e inspektorë",- thanë më tej burimet zyrtare të policisë. Ndërkohë që sipas ligjit të ri thuhet se nëse punonjësi i policisë nuk ka tete vjet punë nuk mund të punojë në drejtorinë e përgjithshme të policisë së shtetit, por në këtë institucion aktualisht ka shumë punonjës të cilët nuk e kanë këtë vjetërsi pune, ndaj dhe nëse respektohet ligji i ri atëherë këta efektivë duhet të zbresin në drejtoritë rajonale.

Pagat

Ndërkohë që ligji i ri do të lërë pa grada, inxhinierët në drejtorinë e përgjithshme të policisë së shtetit, financierët, sektorin e marrëdhënieve me publikun e median e disa sektorë të tjerë. Sipas zyrtarëve të policisë së shtetit, këta punonjës do të trajtohen si civilë dhe paga do t'iu caktohet si të tillë. Me përfundimin e implementimit të gradave do të caktohen edhe pagat e policëve. Pritet miratimi i Këshillit të Ministrave për pagat e punonjësve të policisë. "Pas përfundimit të implementimit të gradave do të shihet numri i drejtuesve të parë, drejtuesve, kryekomisarëve, komisarëve, nënkomisarëve etj, dhe më pas do të caktohen pagat për secilën kategori në bazë të buxheti vjetor të policisë së shtetit",- thanë zyrtarët e policisë së shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›