Abuzimet me tenderat, pranga dy biznesmenëve
Policia ka arrestuar biznesmenët Ardi Arkaxhiu e Ismail Stafa, akuzohen se kanë falsifikuar dokumentet e tenderit
"Dy biznesmenët kanë falsifikuar vërtetime të lëshuara në emër të Degëve të Tatim- Taksave"
TIRANË- Abuzimet me tenderat dhe dokumentet false kanë shpurë pas hekurave të qelisë dy biznesmenë nga Tirana e Kavaja. Operacioni i koduar "Piratët e Tenderave" kishte nisur muaj më parë nga policia dhe prokuroria e kryeqytetit për tu finalizuar dje me arrestimin e shtetasve Ismail Stafa dhe Ardi Arkaxhiu. I pari, 42 vjeç është me detyrë administrator i shoqërisë "NDERPRO" sh.p.k. me qendër në Tiranë ndërsa i dyti, 33 vjeç, është administratori i shoqërisë "MA-CO" sh.p.k. me qendër në Kavajë. Të dy të arrestuarit akuzohen nga prokuroria e kryeqytetit për veprat penale të "Falsifikimit të dokumenteve" dhe "Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve", të kryera në bashkëpunim.
Hetimi
Në muajin mars dy biznesmenë kanë paraqitur dokumentacionin e tyre në tenderin që Njësia e Projektit të Menaxhimit të Burimeve Ujore, në Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit ka zhvilluar më datë 18 mars të këtij viti, me objekt "Rehabilitimi i rrjetit ujitës në Rezervuarin Liz në zonën e Kavajës" me një fond limit prej 15 milionë lekësh të reja. Mësohet se dy biznesmenët Ardi Arkaxhiu dhe Ismail Stafa, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin falsifikuar dokumentet me qëllim që të shpalleshin lehtësisht fitues të tenderit. "Nga hetimet e kryera ka rezultuar se dy biznesmenët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë falsifikuar vërtetime të lëshuara në emër të Degëve të Tatim Taksave Tiranë dhe Kavajë, të cilat i kanë paraqitur në tenderin që pretendonte të fitonte njëri prej tyre dhe më pas dyshohet se do të ndanin paratë. Në këto dokumente të falsifikuara dy të personat kanë paraqitur një xhiro vjetore disa herë më të lartë, nga xhiro vjetore reale e firmave të tyre të ndërtimit", thanë zyrtarë të policisë së shtetit. Operacioni
Dy biznesmenët kishin mundur të kualifikoheshin deri në fazën e dytë në garën për të fituar tenderin. Burime nga policia thanë se ishin kualifikuar tre firmat mes të cilave do të shpallej fituesja, dy nga këto tre firmat ishin biznesmenët e dyshuar për falsifikim dokumentesh. Menjëherë pasi nisën dyshime se në tender po garojnë dy firma me dokumente false, u pezullua gara, ndërsa policia filloi hetimet. Pas hetimeve dymujore policia në bashkëpunim me prokurorinë mundën të siguronin prova të mjaftueshme për të bindur Gjykatën e Tiranës të caktonte masën e sigurisë arrest me burg në mungesë për dy biznesmenët. Kjo masë u vendos paraditen e djeshme në mënyrë sekrete. Vetëm pak çaste më pas, me të marrë në dorë urdhër-arrestet e firmosur nga gjykata, policia organizoi një operacion për arrestimin e dy personave. Mesditën e djeshme Ismail Stafa dhe Ardi Arkaxhiu u arrestuan në banesat e tyre. Pas arrestimit, asnjë prej tyre nuk ka pranuar që të flasë përpara hetuesve por kanë kërkuar që të kenë të pranishëm avokatët mbrojtës.