E Diel, 1 Nëntor 2026

Gramoz Ruçi do vazhdojë të drejtojë grupin parlamentar të PS-së. Ja kush mund të drejtojë komisionet

ruci(E PERDITESUAR)- Ashtu siç ishte paralajmëruar, Gramoz Ruçi pritet të jetë kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Vendimi është marrë fillimisht në mbledhjen e kryesisë së PS dhe do konfirmohet nga grupi.

Mbledhja e kryesisë ka zgjatur pak minuta.

Në njoftimin zyrtar të PS theksohet: Sot u zhvillua mbledhja e parë e kryesisë së Partisë Socialiste pas fitores së zgjedhjeve të 23 qershorit. Kryesia propozoi unanimisht emrin e Gramoz Ruçit për kryetar të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, vendim që do të formalizohet në mbledhjen e grupit sot në mesditë. Kryesia u njoh, gjithashtu, edhe me kalendarin e aktiviteteve të javës që vjen, kur edhe qeveria e re do të nisë zyrtarisht punën.

Mësohet se në mbledhjen që zgjati rreth 20 minuta  është diskutuar edhe për zgjedhjen e kreut të partisë, pasi Edi Ramës i ka përfunduar mandati, por nuk është rënë dakord nëse është koha e duhur për hapjen e një gare brenda partisë.

Ndërkohë Panorama shkruan se Arta Dade dhe Vangjel Dule janë kandidatët për tu bërë nënkryetarë të Kuvendit.

Sa u përket komisioneve, mësohet se komisionet kryesore parlamentare ti drejtojnë deputetë të PS-së.

Komisioni i Ligjeve, i Jashtëm, i Sigurisë dhe ai i Sigurisë të drejtohen nga Partia Socialiste. Burime pranë PS pohojnë se LSI do të ketë një komision, atë të Veprimtarisë Prodhuese, ndërsa Partisë Demokratike do ti lihet të drejtojë tri komisione parlamentare, Komisionin e Edukimit dhe Medias, Komisionin e Integrimit dhe  Komisionin e Punës dhe Çështjeve Sociale. Kryesia socialiste pritet të propozojë Fatmir Xhafën ose Vasilika Hysin për të drejtuar Komisionin e Ligjeve, Anastas Angjelin ose Erjon Braçen për Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, Pandeli Majkon për Komisionin e Sigurisë Kombëtare dhe Valentina Leskajn për Komisionin e Jashtëm parlamentar./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›