Vdes nëna 20- vjeçare, vëllai: E helmuan te shtëpia e burrit. I shoqi e tradhtoi me të fejuarën time
Pesë ditë pas vdekjes së 20- vjeçares Hamide Biçaku, prindërit e saj kanë denoncuar në Prokurorinë e Rrethit Kavajë dhëndrin e tyre, ndërsa kërkojnë hetim mbi rrethanat dhe arsyet e vdekjes së saj.
Hamide Biçaku, nënë e një vajze 2-vjeçare, nga fshati Gizavesh i Librazhdit, ishte martuar prej 3 vitesh në Kryeluz të Kavajës me G. L.
Më 30 gusht, 20- vjeçarja është dërguar në spitalin Nënë Tereza në Tiranë, pasi kishte konsumuar fostoksinë.
Me gjithë përpjekjet e mjekëve, e reja ndërroi jetë mbrëmjen e 31 gushtit.
Në një intervistë për GSH, Artan Biçaku, vëllai i Hamides, akuzon bashkëshortin e saj dhe vjehrrin për vdekjen e motrës.
Akuzat ai i bazon në përkeqësimin e marrëdhënieve mes çiftit, pas tradhtisë që G. L. kishte bërë me të fejuarën e tij.
Sebepi ishte e fejuara ime. E fejuara ime kishte një lidhje prej një viti me burrin e time motre, G.. Kur i kapa vetë mat në një hotel, e ndava të fejuarën. Motra e mori vesh nga njerëz të tjerë. Po më pas çfarë ndodhi? Motra u nda për disa javë nga bashkëshorti. Erdhi në Librazhd, ndërsa vajzën e mbajti familja e burrit. Por erdhi i shoqi G. dhe iu lut që të kthehej, se e kërkonte edhe vajza e vogël. U kthye sërish tek familja e burrit. Nga ajo çfarë kam marrë vesh, ajo është keqtrajtuar atje, e kanë lënë të flejë edhe në kasollen e bagëtive. Por megjithëse flisnim shpesh në telefon, ajo nuk u ankua asnjëherë, sqaron ai.
Nisur nga këto, vëllai i 20-vjeçares kërkon hetim nga prokuroria, në të kundërt ka paralajmëruar vetëgjyqësi.
U vetëhelmua apo e helmuan, ku e gjeti ajo fostoksinën? Unë këtë kërkoj nga drejtësia, të zbardhë të vërtetën, sepse gjithçka nis që kur motra u dërgua në spital dhe ne nuk u lajmëruam. Nëse nuk e zbardh prokuroria, mua si vëlla më mbetet të bëj vetëgjyqësi, shprehet ai.