Gramozi-Skënderbeu, një superderbi në të ParënSkënderbeu e Gramozi u ndanë në një barazim dramatik 2-2 në ndeshjen e fazës së parë (u luajt në Bilisht), por tashmë kur kanë mbetur edhe tri javë nga përfundimi i sezonit të këtij kompeticioni, dy

Në javën e 27-të, Skënderbeu dhe Gramozi fituan me të njëjtin rezultat 4-2, respektivisht me Turbinën e Pogradecin, por të shtunën (2 maj) dy nga katër pretendentet për t’u ngjitur në Kategorinë e Superior do të përballen midis tyre në atë që konsiderohet si supersfida e Kategorisë së Parë.
Skënderbeu e Gramozi u ndanë në një barazim dramatik 2-2 në ndeshjen e fazës së parë (u luajt në Bilisht), por tashmë kur kanë mbetur edhe tri javë nga përfundimi i sezonit të këtij kompeticioni, dy skuadrat kanë një diferencë prej 8 pikësh midis tyre (Skënderbeu 58, Gramozi 50).
Derbi i fqinjëve të “ftohtë” pritet të dhurojë sërish spektakël, pasi nëse kapiteni i Skënderbeut, Blendi Shkëmbi, është një nga futbollistët më cilësorë të Kategorisë së Parë, Gramozi ka në gjirin e tij, golashënuesin më të mirë të këtij kompeticioni, brazilianin Marko Dos Santos, i cili ka shënuar 18 gola nga 51 në total që ka realizuar skuadra e Ilir Qirjakos.
Dhe shikoni, një tjetër brazilian i Gramozit, Oliveira ka shënuar 9 gola, për të mos harruar se të kolonjarët aktivizohet edhe një tjetër futbollist nga atdheu i Ronaldinjos, Martins. Të huajt bëjnë ligjin e golave në Kategorinë e Parë, pasi golashënuesi i dytë më i mirë është afrikani Ziambo i Kastriotit (15 gola).
Një “Gramoz” në versionin “samba”, debutues në Kategorinë e Parë, por me një financues të fuqishëm si “Taçi Oil International”, pikërisht kompania gjigante e karburanteve, që po sjell për herë të dytë në Shqipëri (12 maj), skuadrën që ka fituar më shumë trofe ndërkombëtarë në planet, Milanin, në gjirin e tij janë tri fitues të “Topit të artë”: Kaka, Ronaldinjo (të dy brazilianë) e Shevçenko (ukrainas), por dhe talentin brazilian Pato, pa harruar futbollistin anglez, Devid Bekamin, lojtarin që fiton më shumë në botë.
Në kampin korçar janë të bindur se fitojnë ndaj “vëllait të vogël”, edhe pse do të luhet në Ersekë, në një stadium, ku bileta për ta parë ndeshjen nga tribuna kushton 200 lekë. Skënderbeu ndodhet në vendin e dytë me 58 pikë, një më pak se Laçi kryesues (këtë javë do të luajë kundër Besëlidhjes në Lezhë).
“Skënderbeu e meriton titullin dhe në Ersekë do të vërtetojmë se jemi skuadra më e mirë. E respektojmë Gramozin, që ka dhe ai synimet e tij, por kam mendimin se në fund do të marrim një rezultat pozitiv. Na mjafton edhe një pikë”, - tha mesfushori korçar, Vasjan Ballço, një ish-lojtar i Teutës, Partizanit, Dinamos e Shkumbinit.
Trajneri i Skënderbeut, Indrit Fortuzi, do ta ketë grupin e plotë, pasi rikthehet sulmuesi Ligoraq Tiko (7 gola këtë sezon), por dhe Lika, teksa ish-lojtari i Tiranës, mendon të luajë me një formacion me katër mbrojtës kundër Gramozit.
Sulmuesi më i mirë i Gramozit, Marko Dos Santos, e di shumë mirë rëndësinë e ndeshjes në shtëpi me Skënderbeun, pasi në javën pasardhëse e pret një tjetër më e vështirë ajo me Kastriotin. “Po të impenjohemi seriozisht mendoj se do të dalim me kokë përpara sportdashësve tanë të mrekullueshëm”, - tha për mediat sportive, Dos Santos, i cili në ndeshjen e parë kundër Skënderbeut (2-2) realizoi golin e dytë për ekipin e tij.
Gramozi vjen në përballjen me Skënderbeun pas tri fitoreve radhazi dhe kjo ka rritur entuziamin në kampin e Ilir Qirjakos. Shqiptari nga Maqedonia, Ardit Shaqiri vlerëson faktin se skuadra kundërshtare ka lojtarë cilësorë dhe me pozitat që ka kërkon të marrë pikë në Ersekë. “Ne do të luftojmë për të mos e lëshuar vendin e katërt dhe ndaj Skënderbeut do të japim maksimumin”, -tha Shaqiri. Vendi i katërt i siguron Gramozit një ndeshje play-ofi me skuadrën që renditet e treta nga fundi në Superligë.
Kapiteni i Skënderbeut, Bledi Shkëmbi, e konsideron ndeshjen kundër Gramozit si prova e së vërtetës. “Do t’ia dalim mbanë. Do të angazhohemi të gjithë në fushë për të dhënë më të mirën tonë”, - tha ish-lojtari i Partizanit.
Erjon Islami, një futbollist korçar në radhët e Gramozit (7 gola këtë sezon) shprehet se nuk do të bëjë kompromis me skuadrën e qytetit të tij. “Më vjen keq, por kështu është futbolli. Dua të shënoj edhe kësaj jave, që Gramozi në fund të sezonit të shkelë Superligën”, - tha Islami, autori i një goli në fitoren 4-2 të Gramozit kundër Pogradecit.
KATEGORIA E PARË
JAVA 28
E Shtunë, 02.05.2009
Gramozi-Skënderbeu
Turbina-Dajti
Naftëtari-Kastrioti
Ada-Skrapari
Sopoti-Bilisht Sport
Besëlidhja-Laçi
Luftëtari-Burreli
Pogradeci pushim
RENDITJA
Laci 59
Skenderbeu 58
Kastrioti 56
Gramozi 50
Burreli 45
Dajti 41
Turbina 36
Beslidhja 36
Luftetari 34
Skrapari 32
Ada 32
Sopoti 31
Pogradeci 28
BilishtSport 25
Naftetari 17
Terbuni (i perjashtuar)
Rezultatet e fazës së parë
KATEGORIA E PARË
JAVA 14
E Shtunë, 06.12.2008
Tërbuni-Pogradeci 2-0
Shënues: Dibra 35’, Neziri 82’ (11-m)
Skrapari-Ada 3-0
Shënues: Bregu 3’, Caushi 21’, Hebibasi 49’
Bilisht Sport-Sopoti 5-0
Shënues: Larti 6’(11-m), Avdo 12’, Udeke 15’, 43’ Myderezi
Burreli-Luftëtari 1-0
Shënues: Mata 28’
Kastrioti-Naftëtari 3-0
Shënues: Osui 27’, Ziambo 44’, Tali 77’
E diel, 07.12.2008
Skënderbeu-Gramozi 2-2
Shënues: Lika 30’, Mata 86’ (autogol) / Mata 55’, Dos Santos 82’
Dajti-Turbina 0-0
Laçi-Besëlidhja 4-1
Shënues: Xhetani 8’ Ivanaj 22’, Nimani 30’, 55’/ Haxhia 3’
E Merkure, 29 Prill 2009