E Diel, 1 Nëntor 2026

Gramsh, grabitet argjendaria, dëmi 100 mln lekë

GRAMSH- 100 milion lekë është vlera e një vjedhje e kryer nga persona të paidentifikuar në një dyqan argjendarie. Ngjarja ka ndodhur pas mesnate në qytetin e Gramshit. Sipas policisë persona të paidentifikuar kanë mundur të hyjnë duke thyer derën kryesore, brenda dyqanit të argjendarisë në lagjen “Sporti” të këtij qyteti. Prej andej janë vjedhur bizhuteritë, që në total kapin vlerën marramendëse.

Pronarja e dyqanit, Ilirjana Kollcalli rrëfen: “Kam mbyllur dyqanin në orën 21:00 kam shkuar në shtëpi si gjithmonë. Në mëngjes rreth orës 04:50 më vjen polici tek dera, duke kaluar këtu kishte parë qepenin mbi gjysmën të hapur dhe më thotë se mos kisha harruar derën hapur. Kur vijmë këtu shohim që ishte marrë rreth 2 kg flori. Dëmi im është rreth 100 milion lekë”, shprehet pronarja.

Ilirjana lëshon këtë apel pë organet kompetente. “Unë i bëj thirrje organeve kompetente se dëmi im këtu është shumë i madh, prandaj iu kërkoj të më gjejnë mallin. Unë jam me kredi, nuk kam si e laj ndryshe. Nuk ka qenë i vetëm personi që ka vjedhur, kanë qenë rreth 4 persona dhe kjo nga mënyra si është hapur dera”, shprehet ajo.

Ende nuk është bërë identifikimi i autorëve të vjedhjes. Vjedhja e dyqaneve të argjendarisë është kthyer në një problem shqetësues në qytetin e Gramshit, ku vetëm brenda një periudhe të shkurtër janë shënuar 5 raste të tilla.
(m.a/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›