E Shtunë, 31 Tetor 2026

Granoff, i fundmi i Berishës në Uashington!

Share

Berisha dhe Granoff

Nga TemA

Michael Granoff njihet në Shqipëri prej vitit 1995, kur Presidenti Klinton e emëroi Drejtor të Fondit Shqiptaro- Amerikan të Ndërmarrjeve, një sipërmarrje e cila rezultoi e suksesshme dhe është ende sot aktive në Tiranë. Prej saj lindi Banka Amerikane në Shqipëri, ndërsa sot ata janë prezent në disa biznese të mëdha në vend, siç është prodhimi i kartave të identitetit, apo disa sipërmarrje në biznese të tjera, përfshi banka, supermarkete, apo projekte të tjera, po kryesisht partnerë me biznesmenë të enturazhit të Berishës dhe familjes së tij.

Granoff vjen nga një histori suksesi për lidhjet e tij me politikën në Uashington. Ai ka punuar me presidentin Klinton, drejton një fond të madh investimesh privat në SHBA, është i lidhur me kompani lobiste dhe natyrisht vazhdon të ruajë ndikimin e tij jo vetëm mbi Fondin Shqiptaro- Amerikan të Ndërmarrjeve, por dhe qeverinë shqiptare. Është i matur, i qartë dhe di si të punojë në Uashington për një qeveri që i krijon vetes probleme përditë më papërgjegjësinë e saj ndaj qytetarëve dhe skandalet në korrupsion dhe drejtësi. Di si ti relativizojë gjërat dhe ti çdramatizojë ato.

Disa muaj më parë ai ishte në një emision televiziv në Tiranë, me gazetaren Ilva Tare. Aftësia e tij për të relativizuar situatën në Tiranë ishte mbresëlënëse. Fjala vjen, nëse gazetarja i thoshte se Shqipëria është në krizë, ai e qetësonte duke i thënë se po ta shikosh në total, në 15 vitet e fundit ajo ka bërë progres. Kur gazetarja i thoshte se janë vrarë katër qytetarë më 21 janar, ai shprehte pikëllimin që politikanët nuk ruajnë jetën e njerëzve, pa iu adresuar atyre që i vranë. Kur e pyet për zgjedhjet, ai të flet për probleme të ngjashme kudo, kur i thua se ska liri shtypi, ai të tregon se dhe në SHBA diskutohet gjatë kjo çështje.

Në verën e vitit 2009, kur Berisha po përpëlitej mes shpresës dhe makthit për të ndërtuar koalicionin me Ilir Metën, Granoff ishte inkurajuesi i duhur dhe garanti i tyre në Uashington. Inteligjent dhe eficent për ti mbyllur problemet pa shumë zhurmë, ai konsolidoi fort raportet e Berishës me Podesta Grup, një nga grupet më të forta të lobimit aktual në SHBA, me rol kyç në administratën e Obamës, të cilët janë e vetmja barkë shpëtimi për Berishën në Uashington. Me pagesa marramendëse për gjëra qesharake, ata shfaqin Berishën në bursën e NASDAQ, duke i rënë gongut pasi ky i fundit ka paguar një faturë 360 mijë dollarë, përdorin vizitën e tij në OKB në New York, formalisht një ekstraterritor i SHBA, për ti organizuar Berishës një takim me biznese shqiptarë që flasin anglisht, duke i marrë ata nga Tirana në Uashington. Kush mban mend emrat e atyre që morën pjesë në atë forum kujton se kryesor ishin Michael Granoff, Ambasadori Frank G. Wisner, si këshilltar i çështjeve të jashtme te Patton Boggs, Christian Canacaris, CEO, Raiffeisen Bank në Shqipëri, David Welch, Presidenti për Evropën Afrikën dhe Lindjen e Mesme në kompaninë Bechtel, e cila përlau 1.5 miliard euro për 60 km rrugë, të cilën tashmë e kemi të bllokuar, Suneel Gupta, CEO & zëvendëspresident ekzekutiv i Bankers Petroleum, Albania si dhe Sotiris Kapotas, president i Stream Oil & Gas, kompanisë që ka marrë gjashtëdhjetë përqind të vendburimeve të naftës në Shqipëri, dhe faktikisht i përket merita partnerit të Albana Vokshit, licencuar në kohën që motra e saj bënte ligjin në Ministri të Ekonomisë.

Duke parë krizën e Berishës me SHBA dhe rrethimin diplomatik që i është bërë atij, vizita e Berishës në OKB ishte rasti për të krijuar idenë se Berisha u prit dhe jashtë dyerve të OKB, duke shkuar atje faktikisht me bukë me vete siç thotë një shprehje popullore shqiptare.

Berisha nuk i kursen paret për lobistët që tentuan ti çajnë rrethimin, por duket se ata nuk arritën ti shpëtojnë gjithçka. Përfundimet e rezultateve të FBI e hodhën në erë përfundimisht imazhin e qeverisë shqiptare në Uashington dhe kundërshtimi i tyre i egër prej Berishës, duket se ka hequr pluhurin e dosjeve të vjetra të tij në zyrat e shtetit amerikan. Lobistët e tij atje u detyruan të kthehen nga mbështetës të Berishës në informatorë të tij për perceptimin që Departamenti Amerikan i Shtetit ka për të dhe politikën e tij. I vetmi rekomandim i ardhur prej tyre ishte sfumimi i tij dhe nxjerrja e Lulëzim Bashës në plan të parë. Granoff ishte përsëri gati. Ai prodhoi udhëtimin e Bashës në Uashington, leksionin në një universitet dhe ju gjend në krah për të improvizuar njësoj si Berisha disa muaj më parë, një takim me biznesmenë amerikanë, që në fakt ishin sërish Paton Gazz, i paguar nga Berisha dhe Granoff.

Sërish me sforcim të madh në sfondin politik shfaqet Eliot Engëll, i cili po ngrys karrierën si kongresmen demokrat për New York-un, me dreka dhe darka shqiptares, të cilat duket se e kanë stërvitur atë të mos mërzitet, por dhe as të mos mërzitë askënd më me problemet e tyre. Shumë vetë panë me dyshim pse tonet e Lulëzim Bashës ndryshuan nga Uashingtoni për vrasjet në bulevard. Panë se ai i quajti ata të pafajshëm dhe kërkoi ti lihej në dorë drejtësisë. Michael Granoff ishte pranë tij. Nga anija e madhe e pushtetit të Berishës, që po mbytet, duhet të shpëtohet çtë mundet. Lulëzim Basha është njeriu i duhur për tu licencuar si i moderuar, pasi është pjesë e komprometimit të madh. Ai ka marrë pjesë në lobimin e Rrugës së Kombit, me lobistët që ishin në krah të Berishës, duke ndërtuar me një shifër skandaloze një copë rrugë që po varros ekonominë shqiptare. Ai është pjesë e negociatave të vitit 2009 për koalicionin e ri dhe sot brenda PD shihet si një pol pushteti në aleancë me Ilir Metën më shumë se sa me njerëzit e tjerë tradicional të PD-së. Më 21 Janar ai ishte në zyrën e Sali Berishës kur u vendos për të qëlluar mbi qytetarët. Katër prej tyre vdiqën, të tjerët i shpëtoi Zoti, kurse urdhëruesit po përpiqet ti shpëtojë i talentuari Granoff.

E ka pak të vështirë, por nuk është se nuk po ia del. U shfaq sërish në krah të Lulëzim Bashës në Katar, atje ku nuk ka debate për demokracinë apo vrasjet politike, por flitet vetëm për miliona. Ka gjithmonë një arsyetim dhe për këtë. Fondi i tij do ti qëndrojë afër ambicieve të zotit Basha për të ndërtuar diçka në Tiranë, diçka që akoma nuk ia dimë emrin, fytyrën apo shifrën që kërkon. Dimë vetëm që tashmë atij i duhet të shpëtojë çtë mundet nga gjëma e Berishës. Ka zgjedhur Lulëzim Bashën me idenë se gjërat e lehta qëndrojnë mbi ujë, por kur janë vërtet bosh. Ky i fundit ka aq gjëra të rënda në karrierën e vet, sa kemi frikë se zotit Granoff do ti duhet kohë më vonë të mbrojë Fondin që drejton në Tiranë, formalisht fond jopolitik, nga komprometimi me politikën personale dhe lobimin në favor të atyre, të cilët FBI i ka certifikuar si udhëheqës që kanë vrarë njerëz të pafajshëm. Pas kësaj është e vështirë të thuhet nuk e dija dhe akoma më e vështirë për ti rrumbullakosur përgjigjet.

DICITURA E FOTOS ME POSHTE:

Lulëzim Basha mes Granoff dhe përfaqësuesit të kompanisë lobuese për Berishën Podesta Group

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›