Grass ‘sulmon’ Izraelin

Gunter Grass është autori më i famshëm i Gjermanisë, ende i gjallë dhe fitues i çmimit Nobel. Dy ditë më parë ka shkaktuar një lumë komentesh në vendin e tij me publikimin e një poeme me titull: “Çfarë duhet thënë”, në të cilën ai shumë ashpër kritikon politikat e Izraelit ndaj Iranit. “Përse prita deri tani, në këtë moshë të shkuar që me pikën e fundit të bojës të shkruaj: Fuqia bërthamore me emrin Izrael është duke rrezikuar paqen e brishtë të botës?” Kështu shkruan Grass në poemën e tij. 84-vjeçari kritikon gjithashtu edhe shpërndarjen e planifikuar të nëndetëseve nga ‘vendi im’ tek Izraeli. Bëhet fjalë për nëndetëse që kanë aftësinë e mbajtjes së raketave bërthamore. Njëherazi Grass gjithashtu shpreh solidaritetin e tij me Izraelin.
Në poemën e tij të publikuar nga gazeta gjermane “Suddeutsche Zeitung” dhe të përditshme të tjera europiane, Grass bën thirrje për një “monitorim të përhershëm dhe të menjëhershëm të potencialit bërthamor të Izraelit dhe uzinave bërthamore të Iranit përmes një entiteti ndërkombëtar që do të aprovohet nga qeveritë e të dyja vendeve”. Besohet gjerësisht se Izraeli ka armë bërthamore, edhe pse nuk ka pasur dhe nuk ka prova për këtë.
Në kundërpërgjigje të kësaj poeme ka reaguar edhe ambasada e Izraelit në Berlin, e cila ka lëshuar një deklaratë për variantin e saj të poemës së Grass. Sipas deklaratës, ajo që duhet thënë është se ka qenë dhe vazhdon të ekzistojë një traditë europiane për të akuzuar hebrenjtë para Pashkëve për vrasje, thuhet në këtë deklaratë.
“Fillimisht ishin fëmijët kristianë dhe gjaku i tyre, për të cilin thuhej se përdorej nga hebrenjtë për të gatuar bukën, ndërsa sot janë iranianët që thuhet se shteti i Izraelit kërkon që t’i zhdukë. Ajo që duhet thënë gjithashtu është edhe se Izraeli është i vetmi shtet në botë e drejta për ekzistencë e të cilit vihet haptazi në dyshim. Kjo ka qenë e vërtetë që nga dita e themelimit të tij dhe vazhdon të mbetet e tillë edhe sot e kësaj dite. Ne duam që të jetojmë në paqe me fqinjët tanë në rajon. Dhe ne nuk jemi përgatitur për të marrë rolin që Grass përpiqet të na japë, si pjesë e përpjekjeve gjermane për t’u përballur me të shkuarën.”
Kanë reaguar ndërkohë edhe të tjerë në lidhje me poemën e Grass. Kryesisht hebrenj. Kështu ka pasur reagime nga Këshilli Qendror i Hebrenjve në Gjermani, që e ka quajtur poemën një “pamflet agresiv agjitacioni”. Kreu i Komitetit të Punëve të Jashtme në Parlamentin gjerman, Ripreht Polenz, dhe anëtar i partisë së Merkelit, deklaroi në media se ndërkohë që letërsia e Grass është e madhe, “ai vetë si autor ka vështirësi kur vjen puna te komentet politike te të cilat shpesh është i gabuar”.
Megjithatë Grass ka gjetur edhe mbështetje nga të tjerë që kanë paralajmëruar qeverinë gjermane për eksportimin e armëve në Izrael. Gazeta gjermane ‘Die Welt’, që duket se ka marrë në avancë një kopje të poemës, publikoi po të mërkurën një përgjigje të Henryk Broder, një gazetari të gazetës që është aktualisht edhe shkrimtari hebre më i shquar në vend. Ai shquhet për polemikat e tij të famshme dhe në këtë rast ka sulmuar Grass në editorialin e tij, duke thënë se Grass ka një problem me hebrenjtë, por asnjëherë më parë si në këtë poemë nuk e ka artikuluar këtë problem më qartë dhe më shkoqur.
Ai shkruan se “Grass ka pasur gjithmonë një tendencë megalomanie, por këtë herë duket se ka dalë mendsh krejtësisht”. Ai gjithashtu e kritikon Grass për një deklaratë që ka bërë në një intervistë në vitin 2001 me një gazetar hebre, duke thënë se 6 milionë gjermanë u ‘likuiduan’ nga sovjetikët pas Luftës së Dytë Botërore. Sipas tij, kjo shifër është shumë e diskutueshme dhe është një krahasim direkt me numrin e hebrenjve të vrarë gjatë Holokaustit.
Hera e fundit kur Grass doli në faqet e gazetave në mënyrë pak a shumë të ngjashme me këtë të fundit, ka qenë viti 2006, kur ai nxori autobiografinë e tij “Zhveshja e qepës”, në të cilën reagon edhe se ka shërbyer në të ri tek SS. Në atë kohë ai u kritikua shumë. Të shumtë ishin ata që e akuzuan për fshehje faktesh në lidhje me jetën e tij.