Ovrebo, ende i urryer

Tom Henning Ovrebo, gjyqtari norvegjez i shumëkritikuar për mënyrën si drejtoi ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve mes Chelseas dhe Barcelonës tri vite më parë, ka bërë të ditur se ende merr mesazhe urrejtjeje nga tifozët e klubit londinez.
45 vjeçari u tërhoq nga referimi ndërkombëtar në maj 2010, pasi nuk u përzgjodh nga FIFA të drejtojë ndeshje në Kampionatin botëror 2010, por i tha të përditshmes britanike The Guardian se vazhdon të përkujtohet për atë që mbetet nata më e famshme në karrierën e tij.
Ovrebo refuzoi katër kërkesa për penallti nga skuadra vendase në përballjen e zhvilluar në Stamford Bridge në maj 2009 dhe menjëherë u bë cak i reagimeve të ashpra, pasi Andres Iniesta realizoi në minutën e fundit të lojës shtesë për rezultatin 1-1, që dërgoi ekipin e Pep Guardiolës në finale në bazë të rregullës së golave si mysafire.
Ovrebo menjëherë pas sinjalizimit për përfundimin e ndeshjes ishte fyer verbalisht edhe nga Didier Drogba dhe Jose Bosingwa, për çka futbollistët u dënuan me katër, respektivisht tri ndeshje moslojë. Por, nuk përfundoi me kaq. Ovrebo u kërcënua me vdekje nga tifozët e hidhëruar të Chelseas, disa prej të cilëve e ndjekin edhe sot.
“Fyerjet vazhdojnë pasi marr tre deri në katër porosi (nga tifozët e Chelseas) në vit”, tha Ovrebo i cili jeton në Oslo, derisa vazhdon të drejtojë ndeshjet në ligën e parë norvegjeze Tippeligaen. “Nuk është mirë, por nuk është edhe aq serioze. Nuk i lejoj të më shqetësojnë mua ose familjen time. Ata nuk dinë shumë rreth kësaj çështjeje sepse nuk ua tregoj porositë”, shtoi ai.
Babai i katër fëmijëve, i cili udhëheq një kurs të psikologjisë në qytetin e tij të lindjes, është aktualisht i angazhuar me anëtarët e ekipit Olimpik të Norvegjisë. Ai insiston se nuk pendohet që përfundoi karrierën 16 vjeçare si gjyqtar i nivelit më të lartë, por para përballjes mes Chelseas dhe Barcelonës muajin e ardhshëm në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, ai pranon gabimet në atë se si drejtoi duelin e tyre të fundit në garë.
“Kur shikoj prapa, janë disa gjëra të caktuara të cilat do t’i kisha bërë ndryshe. Kam mësuar shumë nga ajo përvojë. Të gjithë gjyqtarët ju thonë se kanë kaluar ndeshje të mira, por edhe të këqija, kurse e gjithë kjo është pjesë e punës. Nuk mund të mbaj pendime për këtë ndeshje të vetme. Jeta ime duhet të shkojë përpara nga kjo”, u shpreh Ovrebo i cili megjithatë pranoi se përvoja e zbehu dashurinë e tij ndaj futbollit dhe tani shikon më pak ndeshje në televizion, për dallim nga e kaluara. Por, a do ta shikojë ndeshjen e parë mes Chelseas dhe Barcelonës më 18 prill?. “Sigurisht. Pavarësisht krejt asaj që ndodhi, ende e dua Ligën e Kampionëve, sidomos ndeshjet e mëdha që vijnë në përfundim të garës dhe kjo është pa dyshim një ndeshje e madhe”, përfundoi ai.