E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gratë dhe fëmijët

Përkundër shumë zërave, mendoj se fushata e ndërmarrë nga kryeministri shqiptar, kryetarja e Kuvendit e të tjera personalitete të maxhorancës për respektin e gruas në familje, ka efektet e saj pozitive. Nuk dua të mendoj, ashtu siç ka ndodhur në gjithë karrierën politike të Sali Berishës, sidomos gjatë kohës kur qe në opozitë, se akuzat që po hedh ndaj kreut të opozitës, Edi Rama, të jenë shpifje. Në të kundërt, Edi Rama, që në çështje dinjiteti nuk uroj të jetë as si Fatos Nano dhe as si Ilir Meta, pjesë të jetës së tij, duhet ta harxhojë edhe duke diskretituar sharlatanin më të madh që i ka rënë për fat të keq për pjesë Shqipërisë. Mbetet çdo gjë për t’u verifikuar dhe do të jemi dëshmitarë se pas kësaj që ndodhi, Edi Rama do të vijë një ditë që t’i japë dorën Berishës, për të varrosur njëherë e mirë nderin e për të ngritur në piedestal cipëplasurit apo do të dëmshpërblehet ai dhe familjarët e tij për ç’po u bëhet.

E në këtë reflektim, më vijnë në mendje se sa mbrohen në vendin tim nga institucionet dhe politika në përgjithësi më të brishtët e shoqërisë: vajzat, fëmijët, të sëmurët, të moshuarit. Fëmijët e ngujuar për shkak të gjakmarrjes, për shembull. Cilado nënë, cilido prind e di mirë se ç’do të thotë të mbajë të mbyllur një ditë në shtëpi një fëmijë. Sesi më të vegjlit të tërheqin nga krahu edhe kur nuk flasin, duke treguar se duan të dalin jashtë e të luajnë edhe pse bie shi. Nuk i mban dot mbyllur. Mendoj lotët e fëmijëve të ngujuar në Shqipëri dhe vetëm në Shqipëri, e lotët e nënave të tyre që nuk mund t’i nxjerrin të luajnë, të shkojnë te lisharësi i vetëm i fshatit apo te rrëshkitësja në fund të lagjes.

Do të doja që të gjithë politikëbërësit, pozitë e opozitë, të vinin të njëjtin pasion si për gratë e Edi Ramës, në çështje të tilla turpi që mbajmë si shoqëri.
(BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›