E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gratë, islami dhe aborti në Turqi

Gazeta Shqip

Analizë 

Përse një pjesë e grave kërkojnë që të lejohet ndërprerja e shtatzënisë

Në Turqi, ndërprerja e shtatzënisë në të ardhmen do të lejohet deri në javën e katërt. Aktivistet për të drejtat e grave i kundërshtojnë këto plane. Erdogan, largo duart nga trupi im. Me parulla të tilla të shkruara në pankarta, gratë shprehën në fillim të qershorit zemërimin për planet e qeverisë së Rexhep Taip Erdoganit. Demonstrata në Stamboll ishte protesta më e madhe deri tani e organizatave të grave në Turqi. Shefi i Zyrës për Çështjet Fetare, Mehmet Gërmez, e komentoi protestën shkurt “e papranueshme”. Ashtu si Kryeministri Erdogan edhe autoriteti më i lartë fetar në shtetin laik, deklaroi se abortet pa shkaqe të shpjegueshme mjekësore janë “vrasje”. Vendimi për abortin ka të bëjë me një jetë të palindur, dhe për këtë arsye nuk qëndron vetëm në lirinë e vendimit të grave. Këto deklarata të Gërmez-it shkaktuan debate të nxehta në publik dhe e thelluan polarizimin. Për të unifikuar protestën e tyre kundër ashpërsimit të ligjeve të abortit, rreth 150 organizata të grave, themeluan nismën “Kurtaj Yasaklanamaz” (Aborti nuk mund të ndalohet). Ky grumbullim mbledh nënshkrime në faqen e tij të internetit për lirimin e grave të marra në paraburgim gjatë protestës. Brenda disa ditëve, këtu u mblodhën më shumë se 30.000 nënshkrime. Mijëra të tjera shtohen çdo ditë. Një tjetër qëllim i nismës është të kontribuojë që të vendosë në platformat ndërkombëtare zhvillimet aktuale në grindjen për abortin. Rrjeti i pavarur i informacionit bianet.org i bën thirrje grave dhe burrave për të marrë pjesë në një aksion me fotografi. Kryetarja e iniciativës, Çiçek Tahaoglu, tha në intervistë me Dp: Me shkrimet mbi trupat e tyre apo në pllakata si Trupi im, zgjedhja ime, apo Trupi i gruas sime, vendimi i saj, aktivistët duan t’i japin fushatës një fytyrë të vetën. Organizatat e sjellin çështjen e trupit të gruas pranë publikut, pikërisht për faktin se gratë në Turqi perceptohen vetëm në hapësirën private. “Në një vend si Turqia, ku dhuna seksuale, dhunimi dhe vrasja e grave janë të përditshme, një ashpërsim i ligjit të abortit vetëm i legalizon këto fenomene”, kritikon Cicek Tahaoglu. Gratë kundërshtojnë kështu deklaratat e ministrit të Shëndetësisë, Rexhep Akdag, i cili është shprehur kundër abortit, edhe në qoftë se gruaja ka mbetur shtatzënë nga përdhunimi. I pyetur nga gazetarët se çfarë masash do të marrë qeveria në lidhje me fëmijët e lindur nga përdhunimet, Akdag tha: “Nëse është e nevojshme, shteti do të kujdeset për këta fëmijë”. Ndërsa organizatat e grave ngrenë zërin kundër Erdoganit, tani po e marrin fjalën gjithnjë e më shumë burra: Iniciativa “Rahatsiz Erkekler” (Burra të shqetësuar) u ka bërë thirrje përmes një blogu të gjithë burrave për një protestë në Stamboll. Ata inkurajohen për të marrë një pozicion të qartë kundër “politikës shtetërore patriarkale”. Si anëtare e vetme femër e kabinetit të Kryeministrit Erdogan ministrja e Familjes, Fatma Shahin, tërhoqi mbi vete të gjithë zemërimin e grave protestuese, sepse edhe ajo përkrah ashpërsimin e planifikuar të ligjeve të abortit. Shahin mbron pikëpamjen se aborti dhe operacioni cezarian janë bërë metoda të legalizuara të planifikimit familjar dhe nuk duhet të lejohen. Në këtë mënyrë ministrja mbështet deklaratat e Erdoganit, i cili e cilëson edhe operacionin cezarian, si një mënyrë për të kufizuar rritjen e popullsisë së dëshiruar prej tij. Ideali i kryeministrit turk është familja me të paktën tre fëmijë. Ky objektiv mund të vështirësohet nga operacionet cezariane, sepse një grua mund të lindë pas një operacioni zakonisht vetëm një fëmijë tjetër. Ministrja e Familjes tha në këtë debat se projektligji i ri do të marrë parasysh kriteret e shkencës dhe arsyes. Kundër deklaratës së Sahinit, organizatat e grave argumentojnë duke iu referuar statistikave kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilat zbulojnë një lidhje të drejtpërdrejtë në mes ndalimit të abortit dhe rritjes së vdekshmërisë së nënave. Sipas Dhomës së Mjekëve dhe Shoqatës së Gjinekologëve, vdekshmëria e nënave ka rënë që nga legalizimi i abortit në Turqi në vitin 1983. Ndërsa gjatë vitit 1970, rreth 250 gra kanë vdekur në 100.000 lindje, kjo shifër zbriti në 28 në vitin 2000. Edhe një tjetër argument i grave është kundër deklaratave të zyrtarëve të qeverisë. Sipas këtyre të fundit, legalizimi i abortit, ka rritur shifrat.

Gratë, islami dhe aborti në Turqi burimi: Gazeta Shqip

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›