Gratë zotërojnë 1,5 herë më pak produkte financiare se burrat

TIRANË, 27 mars /ATSH/ Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi mori pjesë në konferencën “Gratë dhe aktivitetet financiare të paligjshme në Ballkanin Perëndimor: Zgjerimi i kufijve për njohuri dhe veprim” organizuar nga Qendra AIRE për Ballkanin Perëndimor, me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Zëvendësguvernatorja diskutoi mbi rolin e gruas në shoqëri, ballafaqimin e saj me financat e paligjshme dhe domosdoshmërinë e edukimit financiar.
Ajo theksoi se “një nga mjetet më të fuqishme për të parandaluar përfshirjen e grave në aktivitete financiare të paligjshme është edukimi financiar. Kur gratë janë të informuara dhe kanë akses në veprime ekonomike si: menaxhimi i financave, investime, huamarrje dhe kursime, ato janë më të afta të marrin vendime të duhura dhe të shmangin rreziqet e lidhura me ekonominë informale”.
“Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë punon dhe promovon prej më shumë se 2 dekadash edukimin financiar për qytetarët. Përmes programeve dhe fushatave të edukimit financiar, Banka e Shqipërisë ndihmon publikun, veçanërisht gratë dhe të rinjtë, të kuptojnë më mirë bazat e sistemit financiar dhe të shmangin skemat mashtruese apo burimet financiare të dyshimta”, shtoi ajo.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Tedi Dobi përshëndeti gjetjet e raportit, duke theksuar se “Shqipëria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm kundër pastrimit të parave dhe krimit të organizuar, si dhe mbrojtjen e viktimave, por ky raport tregon qartë se ka ende punë për të bërë—veçanërisht në njohjen e rolit të grave si aktore dhe mbrojtjen e tyre kur janë viktima”.
Biljana Braithwaite, Drejtore e Programit për Ballkanin Perëndimor të Qendrës AIRE, theksoi se “raporti nënvizon se gjinia është kyçe për të kuptuar financat e paligjshme, megjithatë sistemet ligjore dhe institucionale shpesh anashkalojnë detyrimin dhe cenueshmërinë që ndikojnë në përfshirjen e grave.”
Dunja Mijatović, eksperte ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, tha se studimi “tregon se nuk mund të ndërtojmë shoqëri të qëndrueshme duke lënë jashtë gjysmën e popullsisë. Politikat gjithëpërfshirëse dhe të ndërgjegjshme për gjininë nuk janë opsionale—ato janë thelbësore”.
Në Ballkanin Perëndimor, gratë shpesh instrumentalizohen nga rrjetet kriminale duke shfrytëzuar stereotipet gjinore dhe boshllëqet ligjore. Në shumë raste, ato regjistrohen si pronare formale të kompanive fiktive që përdoren për pastrimin e parave, duke vepruar si “buffer mbrojtës” për drejtuesit meshkuj që kontrollojnë operacionet nga prapaskena. Të tjera shërbejnë si ndërmjetëse logjistike—duke transferuar fonde, ruajtur komunikimet apo blerë prona—pikërisht sepse përfshirja e tyre ngjall më pak dyshime. Disa gra përfshihen në aktivitete të paligjshme përmes detyrimit nga partnerë intimë ose anëtarë të familjes, ndërsa një numër më i vogël kanë pasur role drejtuese në skemat e evazionit fiskal dhe përvetësimit, veçanërisht në sektorët bankarë dhe të kontabilitetit. Këto role të ndryshme shpesh nuk zbulohen për shkak të paragjykimeve gjinore të rrënjosura thellë, ndërgjegjësimit të kufizuar institucional dhe mungesës së të dhënave sensitive gjinore.
Ladislav Hamran, ish-President i EUROJUST, e quajti raportin “një thirrje shumë të nevojshme për veprim që konfirmon atë që shohim në praktikë: krimi i organizuar shfrytëzon gratë, fëmijët dhe emigrantët—jo vetëm si mjete, por edhe si mburoja ligjore. Institucionet duhet të përgjigjen me veprime konkrete.”
Helen Robinson, Menaxhere e Programit për Krimin e Rëndë dhe të Organizuar (Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar), tha se hulumtimi “mbush një boshllëk kritik, duke treguar se gjinia nuk është thjesht një statistikë—ajo formëson rrugët drejt krimit të organizuar. Këto njohuri duhet të orientojnë programet dhe reformat e ardhshme.”
Konferenca shënon një hap të rëndësishëm drejt përafrimit të politikave rajonale me realitetet gjinore të krimit financiar, duke siguruar që ndërhyrjet e ardhshme të jenë më efektive, gjithëpërfshirëse dhe të bazuara në fakte.
Sipas “Vrojtimit të BSH mbi Kulturën Financiare të të Rriturve në Shqipëri 2023”, indeksi mesatar i kulturës financiare të popullatës shqiptare rezulton 59%, ku gratë shënojnë 57%, kundrejt 61% të burrave.
Qëllimi i edukimit financiar është rritja e mirëqenies financiare të individit. Sipas të dhënave të vrojtimit, indeksi i mirëqenies financiare tregon se gratë janë: Më të brishta financiarisht; nuk disponojnë fonde të mjaftueshme rezervë për t’i bërë ballë goditjeve të papritura financiare dhe nuk arrijnë të bëjnë planifikime për periudha afatgjata
Të dhënat tregojnë gjithashtu se gratë zotërojnë më pak produkte financiare, 1.5 herë më pak se burrat aktualisht.
Një tjetër drejtim i rëndësishëm i punës së Bankës së Shqipërisë është edhe rritja e përfshirjes financiare të grave dhe aksesit të tyre në shërbime bankare. Fuqizimi i grave përmes edukimit financiar dhe përfshirjes së tyre në ekonominë formale nuk është vetëm një domosdoshmëri për barazinë gjinore, por edhe një investim për një shoqëri më të qëndrueshme dhe një ekonomi më të fortë.
1 nga 5/a.f/