E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ibrahimaj për pagesat elektronike: Digjitalizimi modernizon dhe përshpejton rritjen ekonomike

TIRANË, 27 mars /ATSH/ Qeveria shqiptare në partneritet me Mastercard Europe çeli sot Programin për Përshpejtimin e Pranimit të Pagesave Elektronike, një hap konkret për të reduktuar informalitetin dhe për të rritur ritmin e zhvillimit të ekonomisë shqiptare.

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj tha në fjalën e saj qe qeveria shqiptarë do ta mbështesë këtë projekt duke shtuar se digjitalizimi dhe inovacioni kanë qenë një nga shtyllat kryesore të kësaj qeverie.

“Qeveria shqiptare do të mbështesë këtë projekt, pasi ne besojmë fort se vetëm përmes digjitalizimit mund të modernizohet e gjithë ekonomia shqiptare, mund të luftojmë plagën e informalitetit dhe mund të përshpejtojmë më ritme akoma më të shpejta rritjen ekonomike. Digjitalizimi dhe inovacioni kanë qenë një nga shtyllat kryesore të vizionit të kësaj qeverie që kur mori detyrën”, tha Ibrahimaj.

Ministrja Ibrahimaj kujtoi se vetëm një dekadë më parë, Shqipëria kishte vetëm 15 shërbime online, ndërsa tani kjo shifër ka arritur në 1252 shërbime.

“Para më shumë se një dekade ne kishim vetëm 15 shërbime online, ndërsa sot kemi 1252 dhe në fakt në atë kohë askush nuk mund ta imagjinonte që gjithë shërbimet që i ofrohen publikut, biznese apo individë, do të ishin online”, tha Ibrahimaj.

Sipas Ibrahimajt, “vetëm gjatë vitit të kaluar janë ofruar 15,2 milionë shërbime online dhe nga këto shërbime janë kursyer 620 milionë euro nga individët dhe bizneset në Shqipëri apo jashtë saj”.

“Në dekadën e fundit ekonomia shqiptarë është rritur me 2,5 herë. Të ardhurat për frymë janë trefishuar, numri i turistëve është dhjetëfishuar, ndërsa të ardhurat nga turizmit janë pesëfishuar. Janë të gjitha shifrat të cilat janë përkthyer në rritje të konsumit, rritje të të ardhurave për sipërmarrjen shqiptare, që lidhen me konsumin, që lidhen me turizmin”, tha Ibrahimaj.

Në fjalimin e saj, Ibrahimaj e përmendi edhe përparimin në sektorin financiar.

“Edhe në sektorin financiar kemi pasur avancime të konsiderueshëm. Një dekadë më parë vetëm 40% e shqiptarëve kishin një llogari bankare, ndërsa sot kjo shifër ka arritur në 80%. Numri i pagesave digjitale për frymë në 2015 ishin 2 pagesa për frymë, ndërsa sot janë 28 pagesa për frymë”, u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja nënvizoi se vetëm 40% e kompanive në Shqipëri kanë pajisje POS (pikat elektronike të shitjes) dhe se vetëm 22% e tyre mund të konsiderohen si përdorues të shpejtë të POS-it.

“Në krahasim me BE vijojmë të mbetemi prapa, rreth 90.6% e pagesave kryhen kesh, bëhet fjalë për pagesat ndërmjet biznesit dhe konsumatorit. Sot vetëm 40% e kompanive kanë POS (pikat elektronike të shitjes) dhe nga këto vetëm 22% e tyre mund të konsiderohen si përdorues të shpejtë të POS (pikat elektronike të shitjes)”, tha ministrja.

Ibrahimaj u shpreh gjithashtu e bindur se programi i MasterCard, i cili do të ofrojë POS për tregtarët në markete, taksi, hotele dhe restorante, do të ndihmojë në tejkalimin e barrierave të përdorimit të pagesave elektronike.

“Jam besimplotë se programi MasterCard, i cili do të ofrojë POS (pikat elektronike të shitjes) për tregtarët, në markete, taksi, hotele apo restorante, do të garantojë gjithashtu që kostot e transaksioneve do të jenë 0 deri në një kufij të caktuar, do të nisë rrugën drejt tejkalimit të barrierave të përdorimit të pagesave elektronike nga të gjithë skeptikët”, tha ministrja.

“Ashtu si me shërbimet online dhe reformën e fiskalizimit, do të kemi një reduktim të kostove operative të bizneseve të cilat sot mund të mos perceptohen, po jam e bindur se në të ardhmen do të bëhen realitet. Nëpërmjet fushatës së ndërgjegjësimit për tregtarët dhe publikun, si dhe me partneritetin me qeverinë dhe sektorin financiar në një kohë të shkurtër ne do ta ndryshojmë realitetin e pagesave. Do të hedhim një hap më shumë drejt forcimit të ekonomisë shqiptare duke ulur koston dhe informalitetin”, u shpreh Ibrahimaj.

/m.q/r.e/ /a.g/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›