Grattacieli (qiellçjerrësi) i parë në Tiranë
Ndërtimet e larta kanë qenë ëndrrat tona, kur filluam karrierën profesionale si inxhinierë ndërtimi në mesin e viteve ‘60. Kishim lexuar, por sidomos kishim parë N.Y në vizitën e Hrushovit në SHBA, në vitin 1959. Atë film mund ta kemi parë disa herë dhe madhështia e qytetit krijonte gjallëri në sallë. Propaganda me vite kritikonte imperializmin amerikan, por edhe vizita e mikut të madh duhej dhënë. E kështu, duke përfituar nga kjo vizitë, arritëm të shohim të pamundurën për kohën. Historia e grattacielit fillon nga fundi i shekullit të XIX ose më mirë me zgjerimin e përdorimit të hekurit në ndërtim. Teknika tradicionale e ndërtimit me muraturë nuk mund të arrinte lartësinë mbi 30 m dhe kërkonte përveç materialeve edhe kosto të lartë. Faktorët që ndihmuan marrjen e lartësive ishte shpikja e ashensorit eletrik, si edhe nevoja për shfrytëzimin maksimal të tokës, ku çmimi i saj rritej dita- ditës. Ndërtesat shumëkatëshe me konstruksione metalike e me vonë beton -arme filluan të ndërtohen në disa qytete në Amerikë, por shtysën përfundimtare ia dhanë arkitetektet e Çikagos, të cilët janë krijuesit e vërtetë të grattacielit.
Të shumta janë ndërtimet e larta pothuajse në të gjitha qytetet kryesore në Amerikë dhe më vonë në Evropë. Po përmendim “Rokfeller Center” me gjashtë ndërtesa me lartësi të ndryshme nga 41 në 36 kate. Ajo që binte në sy, por vazhdon të bjerë edhe sot është “Empire State Building” me 102 kate, 381 m e lartë. U ndërtua në vitin 1931. Në fillim pati njerëz që i vunë nofkën ‘Empty Building’ (ndërtesa boshe), sepse për njëfarë kohe shumë kate mbeten bosh. Sot, të kesh një zyrë aty, është një luks i madh. Është e tepërt të shkruhet për dy kullat binjake të “World Trade Center” dhe fatin tragjik të tyre. Kullat binjake në NY do të mbeten simbol i lirisë dhe demokracisë amerikane.
Sot gara drej lartësive po vazhdon në shumë qendra në botë. Rekordet po rriten dhe nuk dihet deri ku do të përfundojë imagjinata e inxhinierëve dhe aftësia e materialeve të reja për të mbajtur ngarkesat që kërkojnë këto lartësi. Qytetet po konkurrojnë për lartësitë jo vetëm për turizëm, por edhe për të treguar fuqinë e tyre ekonomike.
Në vitin 1967, në bulevardin e madh, sot “Zogu i I”, ndërmjet ndërtesës së Cokes dhe një ndërtese tjetër ishte një hapësirë boshe rreth 13 m. Me sa mbaj mend në ndërtesën e Cokes (ish-tregtar dhe godina ishte shtetëzuar), ishte ATSH që duket nuk ishte e mjaftueshme.
Pra, në këtë hapësirë u vendos të ndërtohej godina e re. Ish-kryearkitekti i Tiranës, i ndjeri Koço Miho, hartimin e projektit ia ngarkoi arkitektit Maks Velo, kurse konstruksionin mua. Me Maksin, për një vit që punova në byronë e projektimit, kisha bërë dhe objekte të tjera. Çdo arkitekt kishte një dyshe me inxhinierin e tij. Me Maksin kisha njohje të vjetër, dikur luanim dhe tenis, kështu që iu futëm punës. Godina për të përmbushur nevojat e investitorit u kërkua e lartë, plot shtatë kate. Me theksimin e sipërm do t`iua kalonte për një kat ndërtesave të Shallvares që mbanin ‘rekordin’.
Maksi bëri një zgjidhje origjinale për kohën. Hapësira u nda në katër pjesë me kolona 25 cm që dukeshin gjatë gjithë lartësisë, duke u nisur nga parimi: ai që fsheh kollonën bën gabim, ai që bën një kollonë false bën krim. Trarët mbajtës u tërhoqën për të vënë në dukje kolonën, e cila u suvatua me granil të bardhë. Për veshjen e xokolit Maksit i ‘ranë këmbët’ në fabrikën e porcelanit për të marrë ngjyrën që dëshironte. Unë pata një problem me themelin, të cilin e zgjidha me ndihmën e inxh. Lutfi Strazimirit. Dje, të ndjerit Lutfi iu festua 100-vjetori i lindjes dhe unë pata rastin të kujtoj intuitën dhe guximin e tij në zgjidhjen origjinale e të komplikuar të shumë problemeve teknike. Në fakt, në mes të punës unë u transferova në bazë. Objektin e përfundova, duke ardhur pasditeve në punë. Kjo nga dëshira ime dhe e Koço Mihos që të mos ia kaloja një tjetri një punë të filluar.
Këtu dëshira apo ëndrra ime për t’u bërë projektues kishte marrë fund. Ajo kishte vazhduar vetëm një vit duke kryer disa objekte që edhe sot i qëndrojnë kohës. Puna në ndërmarrje me punëtorë kishte të tjera halle. Disa kohë mbas meje u largua nga projektimi edhe Maksi për ta dërguar si fazë përgatitore në kooperativen e Pezës. Me radhë nga zyra e projektimit u larguan Ferit Dëshnica e Skënder Jarani. Projektimi ishte i ndaluar për ata me ‘kleçka në biografi’.
Në bulevardin ‘Zog i I’ ka ndërtime të të gjitha kohërave. Ndërtesa e re e ATSH qëndronte shumë mirë ndërmjet tyre. Ajo ishte zgjidhje racionale, ku binte në sy thjeshtësia dhe eleganca arkitektonike e lidhur më së miri me elementët e konstruksionit. Mbas plenumit të vitit 1973, kur plasi lufta kundër “shfaqjeve të huaja”, në objektet e kritikuara ishte edhe ATSH. U kritikua për dritare të mëdha, shpenzim të tepërt materiali. Aty ku nuk kishte një tullë tepër. Nuk di a ia kanë përmendur Maksit këtë në hetuesi.
Sot, mbas 40 vjetësh, ndërtesa këndon akoma këngën e saj. Ajo nuk stonon aspak me ndërtimet e tjera në rrugë, bilé edhe me ato që janë ndërtuar kohët e fundit. Ajo tregon se me gjithë shtypjen e idesë dhe mendimit, ne arritëm të japim diçka të re për Tiranën. Të paktën, mbajtëm rekordin e lartësive deri në ndërtimin e hotelit 15-katësh.