Alibeaj: Gjyqtarët kanë kthyer postin në biznes
Kthimi i postit të gjyqtarit në biznes dhe zbardhja jo në kohë e vendimeve gjyqësore kanë qenë dy pikat më të dobëta të Gjykatës së Tiranës për vitin e kaluar. Në këtë përfundim ka arritur ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i cili ka qenë i pranishëm në analizën e punës së Gjykatës së Tiranës për vitin 2007. Sipas Alibeajt, përgjatë vitit të kaluar janë rreth 600 çështje gjyqësore, vendimet e të cilave nuk janë zbardhur në afat, çka lë vend për korrupsion.
Akuzat
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka hedhur akuza të rënda në drejtim të gjyqtarëve, të cilët i ka cilësuar të korruptuar. Ai i ka kritikuar me tone të ashpra ata, duke thënë se e kanë kthyer detyrën e gjyqtarit në një biznes personal. Alibeaj u shpreh kategorik për rëndësinë dhe nevojën e pastrimit të gjyqësorit dhe gjyqtarëve nga fenomeni i korrupsionit, duke kërkuar nga këta të fundit më shumë përgjegjshmëri në punën e tyre. Në qendër të akuzave të tij për korrupsion kanë qenë 12 gjyqtarë të Gjykatës së Apelit të Tiranës, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur. Minisitri Alibeaj ka thënë se, këta gjyqtarë, në shumë raste kanë dhënë vendime, të cilat i kanë shpallur me vonesë, ndërkohë që ato duhet të shpalleshin jo më vonë se 30 ditë, pasi është dhënë vendimi. Sipas tij, “në Gjykatën e Apelit Tiranë ka vendime të cilat rrinë në sirtarin e gjyqtarëve për 7 muaj e 23 ditë pa u zbardhur, kur afati maksimal për t’i dhënë një vendimi arsyetimin e duhur është 30 ditë. Në bazë të një përllogaritjeje del se janë 600 çështje të tilla, vendimet e të cilave nuk arsyetohen në afat.” Pas akuzave të rënda për 12 gjyqtarët e Apelit nga ana e Alibeajt, me të gjitha gjasat ata do të përjashtohen nga Gjykata e Apelit të Tiranës në ditët në vijim.
Monitorimet
Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, gjatë analizës së punës së Gjykatës së Tiranës, ka ftuar gjyqtarët që reflektojnë mbi raportet e OSBE-së dhe departamentit amerikan, raporte që e kanë nxjerrë gjyqësorin shqiptar shumë të korruptuar. “Gjykatat duhet t’iu kushtojnë vëmendje arsyetimeve të vendimeve gjyqësore, mangësi të cilat janë evidentuar nga raporti i OSBE-së për gjykatat e nivelit të dytë”, - tha Spahiu. Raporti i OSBE-së ka kritikuar specifikisht Gjykatat e Apelit, të cilat duhet të tregojnë më shumë vëmendje për të gjitha pretendimet në ankimin që paraqitet nga palët në gjykim, qofshin këto kërkesa që pranohen apo që vlerësohet nga gjykata se nuk qëndrojnë. “Arsyetimi i vendimit është jo vetëm detyrim në nivel kushtetues, por në thelb është indikatori më i saktë i standardit të gjyqësorit, pasi gjyqtari ka folur nëpërmjet asaj që mbetet e shkruar dhe ka forcën e ligjit për palët të cilave iu drejtohet”, - u shpreh Spahiu. Nuk janë të pakta rastet kur ankesat e subjekteve në procedim i referohen humbjes së të drejtës së tyre të ankimit, për shkak se gjyqtari nuk vë në dispozicion vendimin e arsyetuar. Situatë shqetësuese sipas raportit, të OSBE-së, konsiderohet edhe procedimi i zgjatur i çështjeve dhe vonesat e paarsyeshme nga ana e gjyqtarëve.
Dypunësimi i gjyqtarëve
Gjatë analizës së punës së Gjykatës së Tiranës, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka konstatuar edhe faktin e dypunësimit të gjyqtarëve, gjë që në shumë raste është bërë shkak për çrregullime në kalendar apo shtyrjen e proceseve gjyqësore. Sipas KLD-së, nga informacionet që Këshilli i Lartë i Drejtësisë disponon, vetëm në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, aktualisht janë të angazhuar në mësimdhënie 14 gjyqtarë, disa prej tyre në më shumë se një shkollë universitare. Megjithëse KLD-ja nuk i konsideron këto veprimtari të papajtueshme me funksionin e gjyqtarit, ajo nuk mund të pranojë që angazhime të kësaj natyre të marrin përmasa të një fenomeni, i cili në thelb cenon detyrën e gjyqtarit. “Duke pasur parasysh ngarkesën e punës që çdo gjyqtar ka në gjykatën e Tiranës dhe numrin e çështjeve gjyqësore, kohëzgjatja e tyre rrezikohet nga angazhime të tilla dytësore”, - tha zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu. Sipas tij, asnjë aktivitet i lejuar për gjyqtarin nuk mund të jetë më prioritar sesa vetë gjykimi, ndërkohë që, koha zyrtare në dispozicion të proceseve gjyqësore duhet të jetë e paprekshme.