E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grekëve, asnjë qindarkë të vetme

Papandreu takon Merkel, ndërsa ministri gjerman i Ekonomisë, i prerë kundër ndihmës ekonomike
Ministri gjerman i Ekonomisë ka deklaruar në Berlin se nuk ka ndër mend që t’u jap grekëve asnjë qindarkë të vetme në formë ndihme, ndërkohë që vendi po përpiqet që të dalë nga një krizë e rëndë financiare. Rainer Bruedetle i ka bërë komentet e tij dje para takimit të Kryeministrit grek, Papandreu, me Kancelaren gjermane, Angela Merkel, në Berlin “Papandreu na tha vetë se nuk ka nevojë për asnjë qindarkë, por gjithsesi, qeveria gjermane nuk ka për të dhënë vërtet asnjë qindarkë”, ka thënë Bruedetle. Ministri u është referuar komenteve të bëra nga Papandreu në gazetën gjermane “Frankfurter Alegemeine Zeitung” përmes së cilave Kryeministri grek ishte shprehur se vendi i tij nuk do të kërkonte para. Ndërkaq, Kancelarja gjermane, para takimit me Papandreun deklaroi se do ta ndihmonte Greqinë, por pa specifikuar ndonjë gjë konkrete. Ndërkaq, në Greqi situata ka qenë shumë kritike ndërsa Parlamenti ka aprovuar listën e re të shkurtimeve të shpenzimeve për të ulur sa më shpejt shifrën e lartë që ka kapur buxheti. Jashtë Parlamentit u mblodhën shumë protestues që ishin kundër marrjes së masave të tilla dhe situata është ashpërsuar aq shumë sa ka pasur edhe përplasje dhe përleshje të demonstruesve me policinë. Policët kanë përdorur gazin lotsjellës dhe shkopinjtë e gomës për të shpërndarë dhe qetësuar demonstruesit, disa prej të cilëve janë sjellë në mënyrë shumë të ashpër. Ata madje janë përplasur edhe me rojat tradicionale të Parlamentit grek të veshura me kostume greke të shekullit të 19-të. Që nga demonstrata e vitit të kaluar kjo mund të konsiderohet si më e madhja për nga përmasat. Telashet financiare të Greqisë kanë shkaktuar shumë trazira edhe në Europë ku ka edhe vende të tjera në një situatë të ngjashme me atë të Greqisë, vende që po ndjekin zhvillimet në vendin jugor për të parë më pas edhe se çfarë politike do të ndërmarrë Brukseli me zgjidhjen e krizës së tyre. Për sa u përket demonstruesve që janë mbledhur dje në sheshin kryesor të Athinës, bëhet fjalë për rreth 7000 persona. Ndërkaq, ka pasur protesta të tjera më të vogla në zona të tjera të Athinës të organizuara nga të rinj me maska. Ato janë zhvilluar në afërsi të Ministrisë së Punës apo të Këshillit të Shtetit. Për sa i përket qeverisë, ajo këmbëngul se masat që sapo ka aprovuar janë e vetmja mënyrë për të dalë nga kriza e rëndë e buxhetit, i cili ka kapur një shifër të frikshme. Vetë Papandreu ka deklaruar se do të bëjë atë që i kërkon Europa, duke shpresuar më pas në bashkëpunimin e saj, ai sapo ka nisur një tur ndërkombëtar në kryeqytete të ndryshme të Europës që do të përfundojë me një takimin në Uashington me Presidentin amerikan, Obama.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›