Rama: Kutitë janë kthyer në piramida, sistemi drejt kalbjes

Sali Berisha i ka kthyer kutitë e votimit në piramida, të cilat mund të shkatërrojnë shtyllat e demokracisë. Ky ishte konstatimi i bërë dje nga kreu i socialistëve, Edi Rama, i cili tanimë është fokusuar te keqqeverisja që vjen si shkak i mungesës së transparencës. Në komunikimin e radhës me gazetarët, Rama tha se sistemi “Berisha” po shkon drejt kalbjes, ndërkohë që mungesa e transparencës që në këtë rast sigurohet nga hapja e kutive rrezikon sistemin demokratik. “Beteja jonë nuk është zënkë se kujt i takojnë sendet, por kutitë janë bankat ku është investuar besimi i popullit dhe të kthyera në piramida ato shkatërrojnë themelet mbi të cilat qëndron demokracia dhe mbi të cilat ngrihet vetë sistemi i qeverisjes në një sistem demokratik. Ky është një sistem që po shkon duke u kalbëzuar me shpejtësi, sepse themelet janë të kalbura”, tha ai. Sipas Ramës, çdo qytetar shqiptar po vuan mbi kurriz pasojat e mungesës së transparencës. Rama mori si shembull një sërë problemesh e vështirësish siç janë faturat e shtrenjta të energjisë apo protesta e minatorëve për të treguar se cila është marrëdhënia mes qeverisjes aktuale me qytetarët e vet. Më tej, ai vuri në dukje se kjo është një qeveri e zhytur në krizën e keqmenaxhimit të financave për të përballuar detyrimet e veta kontraktuale, aq edhe me shpërfilljen e plotë që e karakterizon qeverinë në raport me qytetarin. “E them me përgjegjësi të plotë, se ajo që po del në dritën e diellit nga hapja e kutisë së Ruzhdies, është simetrike, e njëllojtë me atë që një ditë jo të largët do të dalë në dritën e diellit nga kutia e të dhënave të ekonomisë shqiptare, e cila është në një krizë të thellë. Nga ana tjetër, të dhënat mbahen të fshehura në një mënyrë që i kushton përditë e më shumë shoqërisë dhe do t’i kushtojë edhe akoma më shumë në të ardhmen ekonomisë së këtij vendi”, nënvizoi Rama. Duke u ndalur specifikisht te zona e Ruzhdies, sipas kryetarit socialist, e vërteta ka filluar të shfaqet. “Ne e sfiduam zotin Berisha dhe pushtetin, duke kërkuar transparencën e kësaj kutie, pa qenë në dijeni të të dhënave, por me bindjen e plotë se informacionet tona janë tërësisht të sakta dhe janë të lidhura me një grabitje me përmasa skandaloze më 28 qershor. Ajo që e bën grabitjen e zgjedhjeve në kushtet e lirisë me demokracisë të kufizuar si rasti ynë, një problem të rëndë që lidhet direkt me jetën e çdo qytetari, është ai fakt që thashë”, sqaroi Rama. Ndërkohë, Rama iu përgjigj edhe deklaratave të Kryeministrit, i cili deklaroi se çdo provë që PS disponon në lidhje me manipulimin e zgjedhjeve duhet ta dorëzojë në prokurori që kjo e fundit të hetojë. “Jam i detyruar të përsëris, se kërkesa jonë ka të bëjë me transparencën në funksion të një të drejte, ne s’kemi të bëjmë me prokurorinë. Hetimi i zgjedhjeve që ne kërkojmë përmes Parlamentit, ka lidhje me të drejtën e kontrollit parlamentar, për të parë se si është zbatuar një ligj i aprovuar nga Parlamenti dhe për të gjykuar se si ka funksionuar administrata. është fare elementare”, shtoi më tej ai.
Të gjitha arsyetimet për transparencën e zgjedhjeve lidhen sipas Ramës me krizën ekonomike. Sipas tij, shqiptarëve u ofrohen shifra të rreme, u ofrohen të dhëna të rreme, u ofrohen perspektiva të rreme, në kushtet kur ekonomia po vazhdon të zhytet në krizë, dhe në kushtet kur ekonomia kërcënohet nga një inerci që mund ta bëjë të tatëpjetën të pafrenueshme.