E Hënë, 2 Nëntor 2026

Grenell i besohen misionet e posaçme, i dërguari i Trump në pikat e nxehta të globit

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka zgjedhur  ish-shefin e tij të zbulimit Richard Grenell, si të dërguar presidencial për misione të posaçme, një post ku ai pritet të ndihmojë administratën e ardhshme që të përballet me disa nga sfidat më të vështira të politikës së jashtme.

“Kam kënaqësinë të shpall Richard Allen Grenell si të dërguarin tonë presidencial për misione speciale. Ric do të punojë për disa nga pikat më të nxehta në botë, përfshirë Venezuelën dhe Korenë e Veriut”, tha Trump.

Sipas burimeve për Reuters pritet që Grenell do të fokusohet gjithashtu  edhe tek tensionet në Ballkan. Përmes një postimi në rrjete sociale i zgjedhuri i Donald Trump  tha se ndihet  i nderuar për këtë post.

“Të punosh në emër të popullit amerikan për Donald Trumpin është nderi më i madh i jetës. Presidenti Trump është dikush që u gjen zgjidhje problemeve, duke i mbajtur amerikanët të sigurt dhe të begatë. Kemi shumë punë për të bërë. Le të fillojmë punën”, tha Grenell.

Gjatë mandatit të parë të zotit Trump, Grenell shërbeu si ambasador në Gjermani, i dërguar i posaçëm presidencial për negociatat mes Serbisë dhe Kosovës, si edhe si Drejtor i Zbulimit Kombëtar.

Ai ka qenë prej kohësh një nga këshilltarët e politikës së jashtme të zotit Trump.

Pasi bëri fushatë intensive për zotin për të në zgjedhjet e nëntorit, Grenell ishte pretendent kryesor për postin e Sekretarit të Shtetit, por Trump   emëroi senatorin Marco Rubio për këtë post.

Ai u përmend gjithashtu si kandidat i mundshëm për pozicionin e të dërguarit të posaçëm për luftën në Ukrainë, por përfundimisht kjo detyre iu besua ish gjeneralit Keith Kellogg. /vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›