Greqi / Tronditet futbolli, 16 vjeçari shqiptar vdes pas një dëmtimi në kokë

Një ngjarje tragjike ka tronditur futbollin në Kavala të Greqisë, pasi një futbollist 16-vjeçar, me origjinë shqiptare, ka humbur jetën pas një dëmtimi të rëndë në kokë gjatë një ndeshjeje në ishullin Thassos.
Asllan Gjana, pjesë e skuadrës Byronas Kavala, po luante kundër Aiandas Panagias në një ndeshje të kategorisë së dytë të Shoqatës së Futbollit të Kavalës, kur vetëm në minutën e dytë të takimit u përplas rëndë.Gjatë një dyluftimi për topin, 16-vjeçari doli jashtë fushës dhe goditi pjesën e pasme të kokës në gardhin rrethues të stadiumit. Pas përplasjes, ai humbi ndjenjat.
Ndeshja u ndërpre menjëherë dhe futbollistit iu dha ndihma e parë nga mjeku i takimit. Në vendngjarje u thirr edhe shërbimi i urgjencës mjekësore, ndërsa për shkak të gjendjes së rëndë u vendos transportimi i menjëhershëm drejt spitalit.
16-vjeçari u dërgua në Spitalin e Kavalës, ku u shtrua në repartin e kujdesit intensiv.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk arriti të mbijetojë.
Lajmi ka shkaktuar dhimbje të madhe te familja, shokët e skuadrës dhe komuniteti sportiv në Kavala.
“Me dhimbje të padurueshme dhe trishtim të papërshkrueshëm, familja atletike e Byron Kavalës i jep lamtumirën njërit prej fëmijëve të saj”, thuhet në reagimin e klubit. “Byroni i Kavalës është në zi, ka humbur një nga fëmijët e tij. Udhëtim të mbarë, djali ynë, ti do të jetosh përgjithmonë në zemrat tona”, vijon mesazhi.