Greqi/ Zjarri del jashtë kontrollit, dëme të mëdha materiale
Një zjarr i rënë në njërin prej pyjeve të Greqisë ka dalë jashtë kontrollit, bënë të ditur autoritetet vendase, por më pas falë punës së ekipeve të zjarrfikësave është mundur të shmanget përhapja e flakëve. Vatra e zjarrit është lokalizuar në qendër të Greqisë të hënën dhe ka shkaktuar djegien e disa fermave, por edhe dëmtimin e disa shtëpive. Zjarret kanë kërcënuar gjithashtu edhe disa fshatra përreth zonës ku u ra zjarri. Flakët e zjarrit, u favorizuan edhe nga temperaturat e larta, e nga moti i thatë dhe të tilla zjarre janë bërë të zakonshme gjatë stinës së verës në vendin fqinj. Greqia deklaroi gjendjen e emergjencës në vitin 2007 gjatë një situate të rënduar si pasojë e zjarreve që zgjatën 10 ditë dhe provokuan vdekjen e 65 njerëzve. Qindra zjarre janë lokalizuar që nga muaji i kaluar, por fatmirësisht zjarrfikësat ndërhynë shpejt këtë vit duke menaxhuar me sukses situatat dhe duke mos lejuar të ndodhte nje tragjedi si ajo e dy viteve më parë. Të hënën, banorët vendas kanë përdorur sende dhe mjete rrrethanore për të shuar flakët dhe për të mos i lejuar ato të shkatërronin fshatin Prodromos, rreth 100 km në perëndim të Athinës. Për të shuar flakët janë përdorur 4 helikopterë, 26 makina zjarrfikëse dhe rreth 90 zjarrfikësa ishin në dispozicion.