Greqi, nis gjyqi i 13 anëtarëve të "Komplotit të Celulave të Zjarrit"

Në Athinë ka filluar të hënën procesi gjyqësor ndaj 13 personave të akuzuar për pjesëmarrje në organizatën "Komploti i Celulave të Zjarrit", që autoritetet greke e cilësojnë si terroriste.
Mes të akuzuarve ndodhet edhe një shtetas shqiptar, i cili do të gjykohet në mungesë, pasi nuk është arrestuar ende dhe është shpallur në kërkim bashkë me tre shtetas gekë.
Të gjithë ata akuzohen për një sërë sulmesh me bombë, përfshirë atë në zyrën e Ministrit të Rendit, ku gjeti vdekjen një nga këshilltarët e ministrit, por dhe për dërgesën e paketave bombë në ambasadat e huaja në nëntor të vitit të kaluar.
Gjyqi do të zhvillohet nën masa shumë të rrepta sigurie dhe në sallë mund të hyjnë vetëm persona të autorizuar.
Forca speciale të policisë janë dislokuar në gjithë zonën brenda dhe jashtë sallës së gjyqit, ndërsa helikopterë të policisë patrullojnë pa ndërprerje.
Masat u cilësuan si të domosdoshme pas paralajmërimeve të bëra nga organizata, dy javë më parë.
Komploti i Celulave të Zjarrit, me një komunikatë të publikuar më 5 janar, merrte pergjegjësinë për sulmin me autobombë të komanduar në selinë e gjykatës së shkallës së parë të Athinë, më 30 dhjetor 2010, ku u shkaktuan dëme të konsiderueshme.
Komunikata i referohej dhe gjyqit që filloi të hënën.
“Ta kthejmë gjyqin e 17 janarit në një start për sulme kundër strukturave të sistemit. Meqenëse gjyqi do të zgjasë për shumë kohë, le ta konsiderojmë këtë periudhë si një periudhë lufte”, theksohej në komunikatë, ku bëhej thirrje për solidaritet nga organizata vendase dhe të huaja.
Por, shqetësim të madh kanë shkaktuar te autoritetet edhe gjetjet pas disa arrestimeve të kryera mesjavën e kaluar në disa zona të Athinës dhe në Selanik.
Në një prej laptopave është gjetur teksti i një komunikate që merrte përgjegjësinë për një numër sulmesh që me gjasë do të kryheshin gjatë zhvillimit të gjyqit.
Janë gjetur edhe emrat e adresat e shumë gjykatësve grekë, që sipas vlerësimeve ishin piketuar si objektiva sulmi.
Për këtë arsye policia ka marrë masa të shumta sigurie edhe për lëvizjet e trupit gjykues të procesit të sotëm, pjesëtarët e të cilit ndodhen në mbrojtje 24 orëshe.
37 vjet pas vendosjes së demokracisë dhe gati një dekadë pas asgjësimit të organizatës më jetëgjatë në vend, 17 nëntori, Greqia vazhdon të jetë arenë sulmesh nga guerrilë vendas, që vitet e fundit janë ashpërsuar, duke pasur edhe viktima njerëzore.
Policia ka thënë se këto grupe tashmë janë të lidhura edhe me krimin e organizuar, i cili u siguron burimet financiare.
Mirëpo, përtej konstatimeve, autoritetet ende nuk kanë arritur ndonjë sukses të konsiderueshëm.