E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, policia godet organizatën "Lufta revolucionare"

ATHINë - Policia greke ka goditur rëndë organizatën kryesore të armatosur në vend, "Lufta Revolucionare" (EA), duke zbuluar në qendër të Athinës arsenalin e saj të armëve dhe eksplozivëve, njoftuan burime zyrtare të policisë greke.
Pas arrestimit të gjashtë personave disa ditë më parë, të cilët akuzohen se i përkasin kësaj organizate kriminale, mbrëmjen e djeshme policia zbuloi në një apartament në qendër të Athinës, sasi të mëdha eksplozivi, armësh dhe municionesh, ndër të cilat dhjetëra automatikë Kallashnikov, granata dore, bomba me sahat dhe raketa antitank, si ajo që u përdor në vitin 2007 kundër ambasadës amerikane.
Armët dhe eksplozivët ishin paketuar sikur anëtarët e grupit po përgatiteshin t'i transportonin diku tjetër. Për masa sigurie, policia evakuoi të gjithë pallatin për të kryer më pas sekuestrimin e armëve.
Disa ditë më parë, antiterrorizmi grek arrestoi gjashtë persona, pesë burra dhe një grua, anëtarë të EA-s të cilët akuzohen për pjesëmarrje në një bandë të armatosur dhe për vrasje. Ndër të tjera policia zbuloi edhe një magazinë ku u gjetën 150 kilogramë eksploziv.
Policia zbuloi edhe disa lista me emra objektivash, ku ndër të tjera u gjetën emrat e disa bankierësh, gazetarësh dhe ai i kryeministrit Jorgo Papandreu.
Zbulimi i fundit në qendër të Athinës konfirmon se ky operacion, më i madhi në këto vitet e fundit, e ka goditur rëndë EA-n, duke çarmatosur një nga grupet më të rrezikshme, trashëgimtari i organizatës së famshme marksiste "17-Nëntori".

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›