E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dilemat e mia për Teatrin e Humorit

20/04/2010 Më së fundi edhe humori futet në vëmendjen e diskutimeve të kohës, që do të thotë se kërkohet edhe për këtë zhanër një këndvështrim i ri dhe një mënyrë e re menaxhimi. Diskutimi zuri fill nga ideja e kryeministrit për ngritjen e Teatrit Kombëtar të Humorit. Po të nisemi thjesht nga mënyra e ngritjes së problemit, pa dyshim që do të na dukej si një formë jodemokratike dhe arkaike, një lloj aksioni për lëvrimin e humorit si me urdhër. Por po mundohem të rreshtoj arsyet pse bëhen të nevojshme zgjidhje të tilla të tipit “deus ex macchina” në gjendjen në të cilën ndodhet kultura në përgjithësi dhe humori në veçanti, duke bërë një paralelizëm: a do të mund të ekzistonte Teatri i Operës dhe Baletit në një vend si yni pa traditë opere, nëse do t’i lihej në dorë krejtësisht konkurrencës së lirë dhe ekonomisë së tregut? Jemi të vetëdijshëm që jo. Atëherë, sipas rregullave të konkurrencës do të duhej ta shkrinim këtë institucion të mbrojtur nga shteti, thjesht sepse nuk e justifikon veten dhe nuk e përballon dot kohën. Po a mund të shtrohet problemi i kulturës së një populli vetëm e vetëm duke iu përmbajtur parimeve të lirisë së tregut? Nuk besoj. Vëmendja e shtetit konsiston në mbrojtjen e kulturës të konceptuar si vlerë elitare, meqenëse në kushtet e sotme, të një kaosi pa orientim, është pikërisht kjo lloj vlere që vihet në rrezik. Po kështu do ta shtrija paralelizmin edhe te muzika: nëse shteti nuk do të mbështeste një festival kombëtar kënge, dalëngadalë do të mbizotëronte shija masive e këngëve të pështira të furgonave dhe do të vihej në rrezik tradita e këngës së lehtë shqiptare. Natyrisht që do të kishte dhe do të ketë gjithnjë individë elitarë, që do të dinë ta zhvillojnë dhe ta ruajnë traditën dhe vlerat, por kjo do të mbetej në një kuadër spontan. E njëjta gjë ndodh edhe me humorin, për të cilin deri më sot vetëm është pëshpëritur e nuk është ngritur zëri për një llum prodhimesh mediokre kasetash, ku banaliteti shitet për vlerë, duke u propaganduar e përkrahur edhe në stacione televizive të dorës së dytë, gjë që çon në masivizimin e lartimin e kulturës ‘kisch’ dhe antivlerës. Në këtë kuptim, ngritja e një institucioni që investon duke mos u nisur nga shijet e nivelit të ulët, por me synimin e mbrojtjes së vlerave është i domosdoshëm në një kohë kaosi orientimi kulturor, me qëllim që të ekzistojë një mundësi selektimi.

Por pyetja kryesore është: a mund të funksionojë ky institucion si pararojë apo do të shndërrohet në një vazhdë të mjerueshme të estradës së rrënuar pak vjet para se të shkrihej? Mos do të ndjekë të njëjtën politikë që ndiqet në Teatrin Kombëtar, ku një pjesë e aktorëve marrin rrogë vetëm e vetëm pse janë punonjës aty e jo për atë çka sjellin në skenë? Për këtë gjë jam në mëdyshje e sigurisht nuk mund të kem një përgjigje sot, por nuk më duket e udhës që të nisem negativisht që në fillim për ta paragjykuar ecurinë e kësaj ideje, siç kanë bërë deri më tash kolegë të tjerë të teatrit. Parja e problemit nga ana politike do të na bënte të rreshtoheshim herë në një kah e herë në një tjetër, duke anashkaluar dobinë si artistë. Në një rast të tillë unë parapëlqej të jem idealist për të shpresuar në një zgjidhje ku i fituar të jetë humori. Por njëkohësisht nuk jam në një mendje me emërtime të tilla të institucionit, si “Teatri i Komedisë”, sepse që në titull fillojnë keqkuptimet, duke u dhënë plotësisht të drejtë kolegëve të teatrit për ta parë si absurditet këtë zgjedhje, si ngritjen e një skenë dubluese, ku nuk qahet, por qeshet, një lloj ndarje me kriter zhanrin kur komeditë janë vënë e do të vazhdojnë të vihen në skenën e Teatrit Kombëtar paralelisht me dramën. Parë në këtë këndvështrim, institucioni do të ishte thjesht një kopje e teatrit ekzistues. Teatri i Humorit, sipas këndvështrimit tim, del i nevojshëm, sepse përmbledh jo vetëm komedinë si zhanër, por nënzhanëra të tjerë specifikë të humorit e satirës, që nuk mund të realizohen në një skenë teatri, si muzikali, vodvili, show, që kërkojnë një orkestër të përhershme apo balerinë plus trupës teatrale dhe, nëse shfaqje të tilla do të viheshin në skenë në teatër, do t’ia ndryshonin tërësisht fizionominë. Vetëm një institucion pa interesa të drejtpërdrejta fitimi mund të zhvillonte nënzhanëra të tillë të kushtueshëm si sipërmarrje dhe që do t’i jepnin një frymëmarrje të re bashkëkohore dhe një zgjerim konceptit të humorit e të artit skenik në përgjithësi. Humori, për vetë specifikën si art, ka përparësi në thithjen e shikuesit dhe një skenë e specializuar do të dinte të edukonte shijet, duke afruar forma të reja alternative për shtresa të ndryshme shikuesish.

Rreziku i nismave të marra nga lart e të centralizuara qëndron te përzgjedhja e stafit të fiksuar dhe te njerëzit e ngarkuar për ngritjen e një institucioni të tillë, të cilëve u lihet në dorë ecuria e nismës. Nëse mendësia do të jetë për krijimin e një strofulli ku të merret rroga dhe për ngritjen e strehës për humoristët pa punë, do të ishte që në fillim një sipërmarrje e dështuar. Që një nismë të funksionojë, kërkon një politikë të hapur pranimi të ideve dhe projekteve më me vlerë.

Do ta përmbyllja që aq sa më bën optimist (ose dua vetë të jem optimist) ideja e mbështetjes së humorit në këtë kaos, ku arti i mirë rrezikohet, po aq edhe mbetem në dilemë nëse do të gjenden rrugët për një mirëmenaxhim dhe mirorganizim të punës, që në fund të fitonte vetëm humori si vlerë e jo mediokriteti i bërë mal.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›