E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, qeveria e Samaras fitoi votëbesimin, tani sfida në Eurogrup

Qeveria e re e Kryeministrit grek, Antonis Samaras, fitoi në orët e para të së hënës votëbesimin në Parlamentin e vendit, me mbështetjen e 179 deputetëve nga 300 gjithsej. Në votim morën pjesë të gjithë deputetët dhe mbështetjen qeverisë së re ia dhanë 129 deputetët e Demokracisë së Re, 33 deputetët e PASOK dhe 17 të DIMAR. Votuan kundër qeverisë 121 deputetë: 71 të SYRIZA, 20 të Grekëve të Pavarur, 18 të Agimit të Artë dhe 12 deputetë të Partisë Komuniste. Kryeministri Samaras tha në hapjen e bisedimeve se qeveria që ai drejton do të fokusohet në rimëkëmbjen e ekonomisë së goditur rëndë nga kriza, do të vazhdojë me planin e privatizimeve si dhe do të zbatojë të gjitha reformat e nevojshme. Samaras kritikoi liderin e opozitës, Aleksis Tsipras, për deklaratat e tij të ashpra, kur ai akuzoi qeverinë se do ta çojë shoqërinë në ferr dhe vendin në qindarkën e fundit. Ndërsa ministri i Financave, Janis Sturnaras, favorizoi zgjatjen e programit të rregullimit fiskal. Tashmë qeveria greke do të përballet me vendimet e Eurogrupit mbi kërkesat e saj për tolerime në ashpërsinë e reformave, ku ligjvënësit europianë dhe përfaqësuesit e kreditorëve e kanë paralajmëruar Greqinë zyrtare se do ta ketë shumë të vështirë negocimin. Ndërkohë Ministri grek i Punës, konservatori Nikos Nikolopulos, paraqiti dorëheqjen duke shprehur keqardhje që qeveria nuk kishte ndërmarrë një rinegocim të menjëhershëm të masave shtrënguese të vendosura në Greqi nga BE dhe FMN.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›