E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, sot do të shpallet dhe do të betohet qeveria e re

Brenda ditës së sotme pritet të shpallet përbërja e qeverisë së greke dhe anëtarët e saj të bëjnë betimin. 

Në orën 13:00 pritet një takim i kryeministrit Samaras me kryetarin e PASOK, Evangelos Venizelos dhe atë të së Majtës Demokratike (DIMAR), Fotis Kuvelis. Të dyja këto parti kanë vendosur që të mos marrin pjesë në qeveri me figura politike apo deputetë. 

Në planet e kryeministrit Antonis Samaras është krijimi i një skeme të vogël qeveritare, me jo më shumë se 16 ministra dhe 12 zëvendësministra. 

Sa iu përket ministrave të rinj, konsiderohet e sigurt se në krye të ministrisë së Financave do të vendoset Vasilis Rapanos, aktualisht president i Bankës Kombëtare të Greqisë.

Mbrëmë, Rapanos ishte i pranishëm në mbledhjen që u zhvillua nën drejtimin e kryeministrit mbi përgatitjet për takimin e sotëm të Eurogrupit. Në të merrnin pjesë gjithashtu kryetarët e dy partive pjesëmarrëse në qeveri, si dhe ministri në detyrë i financave, Jorgos Zanias, që do të përfaqësojë Greqinë në takimin e Luksemburgut. 

Puna për përbërjen e qeverisë ndodhet në fazën përfundimtare dhe po përmenden dhe emra. Kështu, për ministrinë e zhvillimit konsiderohet favorit ministri aktual Janis Stournaras, ndërsa edhe në ministrinë e bujqësisë ka gjasë të mbetet ministri aktual, Napoleon Maravejas, që është një propozim i PASOK-ut. Në ministrinë e infrastrukturës, mund të vendoset deputeti i Demokracisë së re, Kostis Haxhidakis, ndërsa për ministrinë e Jashtme, dy emrat më të mundshëm janë ato të dy nënkryetarëve aktualë të Demokracisë së Re, Dimitris Avramopoulos dhe Stavros Dimas.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›